Gërvalla në OKB: Serbia satelit i Rusisë, Rama: Serbia në anën e Perëndimit

Shkup, 21 prill – Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, po shqyrtohet raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësuese është zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, shkruan Zhurnal.

Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.

“Serbia është kërcënimi më i madh për normalizim të raporteve dhe stabilitet në rajon”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Kosova është pjesë e Perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë”, duke shtuar se sipas saj, kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Ajo tha se me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara nga Serbia, pasi tha se ky shtet ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.

Mes tjerash kryediplomatja e Kosovës ka sulmuar ashpër edhe mikun e Edi Rames presidentin e Serbisë, Alekasander Vuçiq, për të cilin tha se ka shërbyer si ministër në kohën e Millosheviqit, i cili është përgjegjës për disa luftëra në Ballkan.

“Është me rëndësi të përmendet se në atë kohë, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kohën e gjenocidit ka qenë ministër i Millosheviqit për propagandë. Ashtu si në Bosnje edhe në Kosovë nuk ka qenë luftë por ka qenë fushatë shfarosëse, ashtu si po bënë edhe sot Putini në Ukrainë. Ne nuk do t’i harrojmë ato krime, e as bota nuk bën t’i harrojë”, tha Gërvalla.

Ajo ka përmendur edhe rastin e ish-senatorit Dick Marty në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se Serbia ka një histori të gjatë të fajësimit të të tjerëve për krimet që i ka kryer vet. Përmendi rastin “Panda” në Pejë ku serbët vranë disa të rinj serbë dhe u munduan t’ia hedhin fajin shqiptarëve.

“Më lejoni të flasë për Dick Martyn. Ai akuzoi për krime përfaqësues kosovarë që kanë kryer krime lufte gjatë luftës dhe pas saj, i njëjti, zotëri Dick Marty iu tha mediave ditëve të fundit se policia zvicerane iu afrua dhe i ofroi sigurinë më të mëdha për shkak se inteligjenca serbe deshi ta vrasë dhe t’ia lë fajin Kosovës. Janë fjalët e policisë zvicerane e jo të Kosovës. Është traditë e lashtë dhe shumë e rrezikshme”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Kosovës i reagoi edhe deklaratave të Serbisë e Rusisë që i cilësuan ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si “kasapë të Ballkanit”.

“Kasapi i Ballkanit është Millosheviq. Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin. Millosheviq nisi krimet e tij prej Sllovenisë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e pastaj në Kosovë. NATO erdhi që të ndalojë atë. E kuptoj pse Rusia flet kundër neve. Ajo nuk është e kënaqur që Kosova është shtet i suksesit. Të jem këtu e teksa dëgjoj prezantuesen e Rusisë duke sulmuar UÇK-në, më kujton njerëzit heronj të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre dhe propagandën që po bëni kundër tyre. Anëtarët e UÇK-së e mbrojtën vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre. Nuk do të isha krenare po të përfaqësoja ndonjërin prej shteteve tuaja”, tha ajo.

Ajo që e bënë krenar çdo shqiptarë kudo që ndodhet është kjo paraqitja e kryediplomates Gërvalla, përballë e në raport me Serbinë, ku të gjithë të vërtetat Serbisë ia plason në fytyrë në selinë e OKB-së.

Por, ajo që e turpëron çdo shqiptarë janë qëndrimet e shprehura të kryeministrit të shtetit shqiptar Edi Rama, ku përderisa Gërvalla në OKB thotë që Serbia është satelit i Rusisë, Rama thotë që Serbia nuk po shkon drejt Rusisë, mori anën e Perëndimit.

Mes tjerash për atë se Serbia ka blerë armë nga Kina, gjë që ka sjellë reagimin e vendeve të Ballkanit si Kosova dhe Mali i Zi, reagim të ngjashëm nuk ka pasur nga Shqipëria por të kundërt, duke u ndjerë i sigurte që shteti mik i Edi Ramës po krijon sistem të mrbojtjes.

Ai ka deklaruar se nuk është i shqetësuar në lidhje me armatimin e Serbisë.

Këto qëndrime dhe shumë të tjera, siç është edhe çështja e Ballkanit të Hapur ku vetëm Rama qëndron stoik në idenë e Vuçiqit, bëjnë që edhe përballë faktorit ndërkombëtar shqiptarët të jenë të pa unifikuar dhe të reflektojnë mungesë serioziteti e bashkëpunimi mes veti. Gjë e cila sjellë pastaj edhe qëndrimet jo të favorshme të ndërkombëtarëve në raport me shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti me liberalizimin e vizave në Kosovë./Zhurnal.mk