Gërkovska-Gir: Vazhdon mbështetja e BE-së për përmbushje të kushteve për fillim të negociatave dhe avancim të reformave
Shkup, 9 shkurt – Zëvendëskryeministrja për politika të sundimit të mirë, Sllavica Gërkovska sot realizoi takim me euroambasadorin Dejvid Gir, në të cilin, siç informojnë, u bisedua për rëndësinë e avancimit të bazave për digjitalizimin e proceseve dhe mundësimin e funksionimit efikas dhe transparent të institucioneve, ndërkaq u konfirmua edhe gatishmëria për vazhdim të mbështetjes dhe bashkëpunimit në këto sfera.
Euroambasadori Gir, thuhet në kumtesë, duke ia uruar mandatin zëvendëskryeministres Gërkovska, i dëshiroi punë të suksesshme, duke theksuar se mbështetja e BE-së për përmbushje të kushteve për fillim të negociatave dhe avancim të reformave vazhdon në mënyrë intensive.
Gërkovska, siç informojnë nga Kabienti i saj, në takim shprehi kënaqësi nga bashkëpunimi i deritanishëm me institucionet e Unionit dhe e njoftoi ambasadorin Gir me aktivitetet dhe planet për intensifikim të reformave përmes krijimit të politikave për sundim të mirë, të cilat mundësojnë funksionim të papengueshëm të institucioneve kompetente, me fokus në sigurimin e luftës efikase me korrupsionin dhe gjetjen e zgjidhjeve të vërteta për dobësi të detektuara sistematike.
Dy bashkëbiseduesit e cekën gatishmërinë për këmbim të përvojave dhe për zbatim cilësor të Strategjisë nacionale për parandalim të korrupsionit dhe përplasjes së interesave 2021-2025, si dhe nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të institucioneve në drejtim të sigurimit të ndjekjes efikase dhe të paanshme të zbatimit të Kodit për sjellje etike për bartësit e funksioneve publike.

