Geer: Nga ju varet anëtarësimi deri në vitin 2030, nevojiten reforma

Shkup, 1 dhjetor – Qeveria deklaroi me ambicie se do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Suksesi ose dështimi në këtë vendim ambicioz do të varet nga përpjekjet e juaja. Anëtarësimi në BE duhet të jetë projekt kombëtar, i gjithë spektri politik duhet të angazhohet për interesat kombëtare dhe për zbatimin e reformave në lidhje me BE-në, ndërsa reformat në gjyqësor janë të nevojshme edhe atë urgjentisht.

Këtë e theksoi ambasadori i BE-së në shtet, Dejvid Gir në paraqitjen në Sesionin e pestë plenar të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (KNBE-MK).

“Kjo nuk do të thotë se opozita nuk duhet të punojë, roli i saj për rishqyrtimin e çështjeve të politikave është me rëndësi vitale, por duhet të ekzistojë siguri se vendi do të vazhdojë në rrugën e tij drejtë anëtarësimit në BE me hap të njëjtë në zbatimin e reformave pa marrë parasysh se cila Qeveri është në pushtet”, tha Giri

Ai potencoi se pas një pritje të stërzgjatur, vendi më 19 korrik përfundimisht i hapi negociatat për anëtarësim dhe filloi skriningu dypalësh në lidhje me zbatimin e praktikave evropiane duke i konfirmuar dallimet në legjislacion, i cili duhet të konfirmojë se çka duhet të bëhet, kush duhet ta bëjë, a kemi kapacitete dhe kush do ta zbatojë këtë kornizë ligjore. Lajmet e mira janë se skriningu zhvillohet mirë, por edhe se procesi i anëtarësimit është projekt kombëtar.

Anëtarësimi në BE, theksoi ai, duhet të jetë projekt kombëtar të cilin duhet ta kryesojë Qeveria, ndërsa në atë proces duhet të përfshihen të gjithë qytetarët, bashkësia afariste, shoqëria civile si dhe mobilizimi i të gjitha burimeve të shtetit. Ky proces i transformimit të vendit nënkupton zbatim të reformave në teren pa të cilat nuk mund të grumbullohen përfitimet nga anëtarësimi, ndërsa pa reformat, procesi i anëtarësimit nuk mund të përparojë, porositi Giri.

Ai e theksoi edhe rolin e Këshillit Nacional për Integrime Evropiane në procesin e reformave, i cili tha, duhet të përgatitet për ditë dhe net të gjata sepse duhet ta udhëheqë procesin thelbësor. E theksoi mes tjerash edhe rolin e autoriteteve lokale, sepse 70 për qind e zbatimit të ligjeve të BE-së i takon bashkësive lokale, por edhe mediave, të cilat, sipas tij, kanë përgjegjësinë e veçantë që të jenë të informuara që të informojnë në bazë të standardeve më të larta etike dhe profesionale.

“Fokusi është te zbatimi i reformave që ju presin. Vendi duhet të sigurojë stabilitet, prosperitet dhe llogaridhënie edhe në kohë kaq të vështira me luftën e përgjakshme në fqinjësi me çmimet gjithnjë e më të shtrenjta të jetës dhe energjisë. A është e thjeshtë rruga për në BE – sigurisht jo, a do të ketë pengesa – po, a do të ketë trazira – po. Megjithatë, të kuptuarit e kësaj teme nuk është e thjeshtë”, tha Gir.

Në lidhje me temën e sesionit të parë “Bazat e integrimit evropian: Sundimi i drejtësisë dhe reformat e zbatuara” euroambasadori shfaqi dëshpërim nga ngjarjet në muajt e fundit.

“BE-ja shpenzoi miliona në këtë sektor. Ne dhe qytetarët me të drejtë duhet të presim që do të sjellë rezultate. Po, por kjo nuk është e mjaftueshme, ndërsa ngjarjet e muajve të fundit kanë qenë shumë zhgënjyese. Ekziston nevoja që përsëri të angazhohemi në reformat. Qeveria po e udhëheq këtë proces, por edhe Parlamenti duhet t’i ndjekë në këtë. Reformat janë të nevojshme edhe atë urgjentisht. Ne kemi përgjegjësi të tregojmë profesionalizmin të cilin e pret publiku përmes këshillit gjyqësor, përmes organeve gjyqësore sepse BE-ja do ta monitorojë këtë proces nga dita e parë deri në ditën e anëtarësimit”, tha Gir.

Ai theksoi se e njëjta ka të bëjë edhe me korrupsionin dhe pyeti pse rekomandimet e KSHPK-së nuk ndiqen sistematikisht.

“A kemi arsye për të qenë optimistë? Duke folur me empati – po. Rruga e vendit përpara është e vështirë, por ju tashmë keni bërë progres në reforma në fusha të rëndësishme dhe në të tjera jeni përpara vendeve që negociojnë anëtarësimin në BE. Shkalla e vështirësisë ndonjëherë mund të duket e madhe, por vende të tjera kanë treguar se është e mundur. Shembuj janë Sllovenia ose Kroacia, si modele pozitive, pastaj shtetet baltike si dhe Sllovakia, të cilat e mbështetën me bujari Konventën Nacionale. Por burimet që ekzistojnë në vendin tuaj janë të rëndësishme si për BE-në ashtu edhe për publikun ndërkombëtar. Ne do të jemi me ju në çdo hap, jo vetëm me fjalë, por me mbështetje të qëndrueshme, besoj se do t’ia dilni. Ne llogarisim në partneritetin dhe miqësinë tuaj në rrugën tuaj të anëtarësimit, siç ju mund të mbështeteni në tonën”, tha ambasadori evropian Gir.