Gazetarja Hadja Lahbin emërohet ministre e Jashtme
Belgjika ka emëruar Hadja Lahbib, një gazetare me përvojë për të udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme në vend.
Media lokale raportoi se Hadja Lahbib, ish-spikere e lajmeve per televizionin publik (RTBF) është emëruar në vend të Sophie Wilmes pasi ajo dha dorëheqjen zyrtarisht.
Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp në Bruksel nga Georges-Louis Bouchez, kreu i Lëvizjes Reformiste (MR), anëtare e së cilës është edhe Lahbib.
“Unë nuk kam përvojë politike, por e njoh fushën. Kam qenë në terren si reportere”, tha Lahbib gjatë konferencës për media, duke iu referuar kohës së saj si korrespondente ndër të tjera në Lindjen e Mesme, Afganistan, Pakistan dhe Indi.
Lahbib, vajzë e një familjeje algjeriane, lindi në qytetin belg, Boussu në vitin 1970.
Ajo ka studiuar gazetari dhe komunikim, si dhe ka punuar për vite e radhë në RTBF në gjuhën frënge. Fillimisht, ajo ishte korrespondente nga Afganistani dhe Lindja e Mesme, por më vonë u bë spikere lajmesh në RTBF.

