Gati për një vit vazhdohet qasja për linjën repo prej 400 milion euro nga BQE

Shkup, 29 mars – Likuiditeti devizor shtesë prej 400 milionë euro do të jetë në dispozicion të Bankës Popullore përmes linjës repo të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) edhe për gati një vit.

“BQE ka miratuar një vendim me të cilin zgjatet mundësia që Banka Popullore të përdorë linjën repo deri më 15 janar të vitit 2023. Linja repo është vetëm një shtresë tjetër mbrojtëse, duke pasur parasysh nivelin e lartë të rezervave devizore dhe likuiditetin e lartë të bankave, të cilat garantojnë stabilitetin e denarit dhe stabilitetin makrofinanciar. Linja repo siguron qasje të shpejtë të Bankës Popullore në likuiditet shtesë në euro, direkt nga BQE, në këmbim të kolateralit përkatës në euro dhe për nevojat e sistemit bankar”, njoftoi sot Banka Popullore.

Bankës Popullore iu dha mundësia për të përdorur linjën repo në vitin 2020, në fillim të krizës së shkaktuar nga pandemia Kovid-19. BQE u ka dhënë akses në një instrument të tillë bankave qendrore jashtë eurozonës, me qëllim të zbutjes së efekteve negative të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi. Vitin e kaluar, mundësia e përdorimit të linjës repo është zgjatur deri në mars të këtij viti, ndërsa tani kjo mundësi është zgjatur edhe për gati një vit.

Banka Popullore informon se përkundër periudhës së krizës në dy vitet e fundit, nuk ka pasur nevojë të përdoret linja repo.