Garsia Perez: Ndryshimet kushtetuese janë në interes kombëtar, s’ka kohë për lojëra partiake
Shkup, 15 nëntor – Eurodepuetetja dhe lidere e aleancës progresive të socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Iraçe Garsia Perez, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski sot në Shkup, porositi se çështja e ndryshimeve kushtetuese është me interes kombëtar dhe se nuk është koha për lojëra partiake.
“Kur flisni për ndryshimet kushtetuese më duhet të jem e qartë, sepse ai është vendim sovran, zgjedhje e qytetarëve dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Tani nuk është koha që të luhet me çështje partiake. Tani është koha që të kuptohet se interes kombëtar është që të punohet për këtë dhe jam e sigurt se kjo përgjegjësi do të jetë në duart e akterëve të ndryshëm të cilët i kemi në këtë moment”, theksoi Garsia Perez.
Eurodeputetja vlerësoi se ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishme dhe kjo nuk është në interes të Qeverisë, por në interes të qytetarëve dhe të vendit dhe se në këtë çështje opozita duhet të ketë pozicion të qartë.
“Interesat partiake leni anash, ndërsa në vend të parë vendosni interesat kombëtare. Maqedonia e Veriut bën pjesë në familjen evropiane, e ardhmja është në duart tuaja”, porositi eurodeputetja.
Sa i përket asaj se a ka garanci se Bullgaria nuk do të vendosë bllokada të reja në rrugën e integrimeve evropiane të vendit, ajo tha se nuk mund të japë garanci për atë që Qeveria bullgare do ta vendosë në agjendë, por se mund të garantojë për atë se si grup do të punojnë në Parlamentin Evropian, me qëllim, siç tha, t’i konsolidojnë këto bisedime të rëndësishme.
“Kjo është ajo që unë mund të garantoj se do të punojmë. Ne kemi një pozicion të fuqishëm si grup politik, por më duhet t’ju them se këtë qëndrim të fortë të Parlamentit Evropian ne kemi gjithashtu një qëndrim të qartë dhe pozitiv në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin e saj dhe ne me të vërtetë po punojmë për këtë”, tha Garcia Perez në konferencë e përbashkët për media me kryeministrin Kovaçevski në Shkup.
Ajo potencoi se nevojitej lidership që të merren vendime të tilla, pasi vlejnë dhe mund të sjellin ardhmëri më të mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, posaçërisht për politikat sociale në kohë të krizës, mënyrës në të cilën kujdesen për njerëzit, i rrisin pagat mesatare dhe minimale, ofrojnë subvencione për energji elektrike dhe për prodhime themelore, me të cilat përkrahen edhe kategoritë më të prekura të qytetarëve. Unë e potencova edhe ardhmërinë evropiane të vendit, i cili i filloi negociatat dhe skriningun.
“Kam ardhur në një moment të rëndësishëm, hapja e negociatave dhe procesi i skriningut. Një punë duhet të jetë e qartë, RMV-ja i takon Evropës, ajo është pjesë e familjes evropiane. Por ardhmëria është në duart e juaja dhe në vullnetin e Kuvendit dhe qytetarëve. Është e rëndësishme që interesat partiake të lihen anësh dhe të bashkohen përpjekjet që të gjendet kompromis për reformat e nevojshme”, tha Perez Garsia, e cila nesër niset për në Shqipëri.
Ajo paralajmëroi se në Tiranë na pret një samit i rëndësishëm i BE-së dhe rajonit më 6 dhjetor, ndërsa socialdemokratët më 8 dhjetor në Vjenë do të organizojnë samit për Ballkan Perëndimor progresiv, ku do të përgatitet strategjia për një stimul të ri për zgjerimin e rajonit, për çka punojnë në përgatitje të deklaratës.
Kryeministri Kovaçevski, megjithatë, u përqëndrua në fillimin e negociatave më 19 korrik, që, siç tha, shënon kapitull të ri në marrëdhëniet me BE-në, për procesin e skriningut, që pritet të përfundojë për 14 muaj dhe për marrëveshjen me Fronteksin, me të cilën u konfirmua mbrojtja e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Qëllimi është, tha ai, anëtarësimi i plotëfuqishëm në BE, si shpërblim të kësaj rruge, e cila nuk do të jetë e lehtë.
“Tani vetëm nga ne varet kjo rrugë evropiane, respektivisht varet nga 120 deputetë në Kuvend, të cilët janë përfaqësues të qytetarëve, ndërsa qytetarët dëshirojnë jetë më të mirë, dëshirojnë vendi të jetë anëtar i BE-së, fëmijët të qëndorjnë në shtëpi dhe këtu ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre”, tha Kovaçevski.
Ai tha se BE-ja u tregua partner i besueshëm dhe i përmbushi premtimet e veta. Përkujtoi në vizitën e kryetares së Komisionit Evropian Fon der Lejen, e cila ndër të tjera na informoi për mbështetjen në formë të grantit prej 80 milionë eurosh që Maqedonia e Veriut do ta përdorë për t’u përballur me krizën ekonomike dhe energjetike. I prezantoi edhe masat qeveritare në këtë kontekst, të cilat, tha ai, treguan se jemi Qeveri me përgjegjësi, e cila u përmbahet parimeve socialdemokrate përmes rritjes së pagës minimale, pagave dhe pensioneve me qëllimin e fundit rritjen e standardit të jetesës së qytearëve dhe mbrojtjes së kategorive më të prekura të qytetarëve.
“Me këtë qasje të përgjegjshme dhe me qasje konstruktive, dje arritëm të gjejmë një zgjidhje për studentët në lidhje me kërkesat e tyre për vaktin studentor. Do të vazhdojë të përdoret sipas kritereve të vjetra dhe të mos harrojmë se vakti studentor u fut për herë të parë nga kjo Qeveri vetëm dy vite më parë. Për 30 vjet në këtë vend nuk kishte kush t’i ulte studentët në tavolinë. Për 30 vjet të gjithë ne i konsideronim studentët thjesht fëmijë që duhet të shkojnë në shkollë, por jo të marrin pjesë në proceset politike. Dje me iniciativën time shkova në Kuvend dhe u ula me të gjithë drejtuesit e lëvizjeve studentore. Aty ishin rreth 20 studentë të rinj, studente që drejtojnë organizatat studentore. Kam biseduar me ta për të gjitha detajet në lidhje me trajtimin e krizës energjetike, për elementët bazë të buxhetit, për supozimet që ata kanë se si duhet të duket zgjidhja e re ligjore, për të cilën kanë rënë dakord me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe deputetët e shumicës qeverisëse, për një zgjidhje sistematike. Më pas thashë në mbledhje dhe dje në një deklaratë në TV dhe sot e përsëris që studentët janë fëmijët tanë dhe se ata studentë kanë të drejtë të shprehin zërin e tyre. Sigurisht, ata duhet të përfshihen në zbatimin e politikave që i përfshijnë ata, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe shoqërinë”, tha Kovaçevski.
Ai përsëriti se studentët kanë të drejtë ta shprehin votën e tyre dhe të jenë të përfshirë në politikat cilat i prekin, edhe ata edhe shoqërinë.
“Për një kohë të gjatë ne në shoqëri flasim vetëm për odat e tregtisë, flasim vetëm për sindikatat, ndërsa duhet të flitet, shumë gjatë flasim për normat e rritjes, për të ardhurat, për fitimet dhe më së paku flasim për studentët. Prandaj studentët do të marrin pjesë në grupin e punës që do të punojë për hartimin e zgjidhjes që do të jetë sistematike dhe për të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka afat deri në mars”, tha kryeministri Kovaçevski.
Aleanca progresive e socoialdemokratëve në Parlamentin Evropian numëron 145 eurodeputetë dhe është e dyta sipas ndikimit në Parlament. Angazhohet për vlera socialdemokrate, ndërsa prioritete janë sigurimi i të drejtave themelore sociale për secilin, sistem i barabartë i tatimit, promovimi i mundësive të barabarta, trajtimi korrekt për burrat dhe gratë dhe lufta kundër të gjitha formave të diskriminimit, union inkluziv digjital për Evropë dhe energji e pastër dhe e qasshme për çdo qytetar evropian.

