Gallas i thotë Arsenalit se duhet të shpenzojnë më shumë për Alexander Isak: Suedezi garanton shumë gola

Ish-mbrojtësi i Arsenalit, William Gallas, i ka bërë thirrje ish-klubit të tij që të bëjë një lëvizje të guximshme në merkato dhe të nënshkruajë më në fund me një sulmues të klasit botëror. Sipas tij, Alexander Isak i Newcastle është zgjedhja ideale.
Gallas, duke komentuar dështimet e fundit të Arsenalit në garën për titullin e Premier League, ka vënë në pikëpyetje strategjinë e klubit për repartin ofensiv, duke theksuar mungesën e një golashënuesi të vërtetë.
“Arsenali ka qenë në kërkim të një sulmuesi për një kohë të gjatë. Nuk e di saktësisht sa, por një sulmues i klasit të lartë duhej të ishte transferuar që dy ose tre vite më parë”, tha Gallas.
Ai shtoi se drejtuesit e klubit nuk e kanë konsideruar si prioritet nënshkrimin me një qendërsulmues të vërtetë, diçka që sipas tij ka qenë vendimtare në humbjen e mundësive për të fituar titullin.
“Sido që të shohësh sezonet e fundit, ndonjëherë duket sikur Arsenali nuk e ka dashur me të vërtetë Ligën Premier . Ata ishin shumë pranë, por nuk bënë atë hapin e fundit për të plotësuar skuadrën,” deklaroi francezi.
Tani, Arsenali lidhet sërish me emra sulmuesish, një situatë që Gallas e sheh si të përsëritur nga merkatoja e janarit. Ai shpreson që këtë herë klubi të jetë më i vendosur dhe të sjellë sulmuesin e duhur.
“Sipas meje, lojtari që i përshtatet më shumë profilit që i mungon Arsenalit është Alexander Isak. Ai është i shtrenjtë, por garanton më shumë se 20 gola në sezon dhe po përmirësohet vazhdimisht në Ligën Premier”.
“Arsenali duhet të paguajë për të. Isak është ajo pjesë e fundit që mungon në këtë skuadër, një sulmues perfekt që mund t’ua japë titullin,” përfundoi Gallas.