Gallapeni me postim emocionues pasi kompletoi transferimin te Widzew Lodz, falënderon të gjithë ata që e mbështetën

Talenti i ri i futbollit kosovar, Dion Gallapeni, ka zyrtarizuar kalimin e tij në klubin polak Widzew Lodz. Mesfushori premtues i është bashkuar një prej klubeve elitare të Polonisë, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij ndërkombëtare.

Pas një periudhe të rëndësishme zhvillimi me Prishtinën dhe pas përfaqësimeve të suksesshme me moshat e Kosovës dhe Kombëtaren A, Gallapeni ka vendosur të ndërmarrë hapin e radhës në rrugëtimin e tij profesionist.

Klubi polak ka shfaqur interes serioz për të, dhe transferimi është tashmë i kompletuar, ku Prishtina ka fituar 300 mijë euro nga shitja e tij.

Nëpërmjet një postimi emocional në rrjete sociale, Gallapeni falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij deri më tani:

“Të dashur tifozë, nga sot po fillon një kapitull i ri në jetën time me ekipin polak Widzew Lodz, jam shumë i lumtur që i jam bashkuar këtij klubit të madhë me të cilët pres suksese të mëdha. Faleminderit shtyllën e jetës sime, familjen, për gjithçka çfarë ka bërë për mua”.

“Falënderoj përzemërsisht klubin ku u zhvillova, FC Prishtina, për gjithçka çfarë ka bërë për mu, për emocionet e jashtëzakonshme që ndamë së bashku, çdo përjetim aty do të jetë i paharruar për mua, ky klub dhe ai qytet do të jetë familja ime e dytë çdo herë. Falënderoj shkollën e futbollit Winner për hapat e parë dhe kujdesin ndaj meje”.

“Nuk gjej fjalë si të falënderoj njeriun që ka bërë gjithçka për mua, njeriun që ka sakrifikuar gjithçka nga vetja që të jem unë, ky që jam sot, Kadri Cikaqi është rrugëtari i karrierës sime dhe njeriu që pa të asgjë nuk do të ishe e mundur”.

“Ju premtoj që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tim, besoj dhe shpresoj në suksese të mëdha si me ekipin e re po ashtu edhe me ekipin kombëtar”.

“Falënderues përjetësisht të gjitha atyre që më kanë mbështetur dhe kanë bërë gjithçka për mua”.

Me këtë hap të rëndësishëm, Dion Gallapeni shpreson të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare, ndërsa mbetet një prej emrave më premtues të gjeneratës së re të futbollit kosovar.