Fundjava e zgjatur sërish i mbushi brigjet e Liqenit të Ohrit

Ohër/Strugë, 30 prill – Fundjava e vazhduar e Një Majit, e cila këtë vit përputhet me festën e Ramazan bajramit, sërish i mbushi brigjet e Liqenit të Ohrit.

Kapacitetet hotelierike, sipas njeriut të parë të Asociacionit të hotelierëve – HOTAM, Kërste Bllazheski, janë mbushur më shumë se fundjavën e kaluar të zgjatur për festën e  Pashkëve.

“Mysafirë ka, mendoj se hotelet janë mbushur më shumë se për festën e Pashkëve. Presim 60 deri 70 për qind përmbushje të hoteleve tani, përderisa për Pashkët kapacitetet ishin rreth 50 për qind të mbushura”, deklaroi Bllazheski.

Kapacitete të mbushura ka edhe në akomodimet private. Pengesë e vetme, siç theksoi Bllazheski, është parashikimi i motit, dhe për shkak të paralajmërimeve për reshje të shiut, ka mjaft anulime.

“Filluan të vijnë autobusët grekë, nga ndonjë grup turk apo bullgar. Ky është tregues se shtetet rreth nesh janë të pranishme këtu dhe me to mund të kalojmë sezonin”, konkludoi Bllazeski.

Një pjesë e madhe e të pranishmëve në rivierë janë vendosur në banesa të veta, të cilat i përdorin për fundjava për të shijuar bukuritë e rajonit të Ohrit dhe Strugës.