Franca nesër sjellë ekspertë dhe dronë për shuarjen e zjarreve

Shkup, 10 gusht – Edhe Franca do të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në procesin e shuarjes së zjarreve.
Siç njoftoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nesër në vend do të arrijnë ekspertët më të mirë për zjarret e mëdha dhe të rrezikshme dhe dronë për të identifikuar vatrat e zjarrit.
“Në këtë kohë sfidash, lajmi i mirë është demonstrimi i solidaritetit evropian. Pas ndihmës nga vendet- anëtare të BE-së, si: Austria, Sllovenia, Rumania dhe Bullgaria, si dhe vendi fqinj Serbia, nga nesër edhe Franca bashkëngjitet në përpjekjet për shuarjen e zjarreve në vend. Nesër, që në mëngjes, në dispozicion do të kemi tre Gjeneralë nga Shërbimi i zjarrfikësve të Francës, të cilët janë ekspertët më të mirë për zjarret e mëdha dhe të rrezikshme. Ndihma e Francës do të jetë e plotësuar edhe me pajisje të sofistikuar të përbërë nga dronë me pilot/ operatorë francez, të cilët do të ndihmojnë në pjesën e identifikimit, mapimit dhe informimit të hershëm të rajoneve, vatra potenciale të zjarreve, si pjesë e rëndësishme e operacionit për shuarjen e zjarreve. Inkuadrimi i Francës vjen për shkak ekspertizës së lartë që posedojnë në shuarjen e zjarreve të pyjeve, pas koordinimit të suksesshëm të rrjetit tonë diplomatik. Solidariteti dhe ndihma e aleatëve tanë në këto momente krizash është më shumë se e mirëseardhur në tejkalimin e krizës, e njëherazi paraqet edhe shprehjet të vërtetë të solidaritetit evropian. Merci Beaucoup“, shkroi Osmani në “Facebook”.