Foshnja me lëkurë jeshile dhe dëmtimet e tmerrshme të punonjësve të centralit ‘famëkeq’

Fatkeqësia  e ndodhur në Çernobil, në vitin 1986 konsiderohet si aksidenti bërthamor më i rëndë në historinë e botës.

Megjithatë, disa prova të reja të zbuluara së fundmi, tregojnë se dëmi i shkaktuar ishte shumë herë më i madh se sa u tha në atë kohë.

Një dokumentar i ri i Sky TV, ‘Chernobyl: The Lost Tapes’, ekspozon lëndimet e rënda që morrin punonjësit e termocentralit, por po ashtu dhe defektet në lindjen e foshave që u prekën nga rrezatimi pas shpërthimit.

Sipas shifrave zyrtare dy punonjës u vranë në shpërthimin fillestar dhe 28 të tjerë vdiqën nga helmimi akut për shkak të rrezatimit. Por numri i viktimave besohet se ka qenë shumë herë më i lartë, me disa vlerësime që tregojnë numrin e të vdekurve deri në 985,000.

Nga ana tjetër, nuk mund të llogaritet numri i defekteve tek të porsalindurit të shkaktuara nga shtëllunga e rrjedhës radioaktive që u shtri deri në Uells.

Foshnjat me njolla ngjyrë jeshile ‘shkëlqyese’ në lëkurë shfaqen në pamjet e siguruara nga Sky, së bashku me shumë të tjerë që vdesin nga lloje kanceri të pashërueshme që para aksidentit të Çernobilit konsideroheshin tepër të rrallë.

Dokumentari rrëfen gjithashtu histori të heroizmit të jashtëzakonshëm nga punonjësit e shpëtimit të dërguar për t’u marrë me shpërthimin fillestar dhe zjarrin. Shumë prej tyre u dërguan në ndërtesën e reaktorit të djegur me pak ose aspak pajisje mbrojtëse dhe shumë prej tyre mbetën me plagë të tmerrshme si rezultat i ekspozimit me rrezatimin.