Forumet kulturore forcojnë bashkëpunimin Kinë – Argjentinë

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Argjentinës Alberto Fernández dërguan të mërkurën mesazhe urimi për zhvillimin e Forumit të Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë. Xi vuri në dukje që Kina dhe Argjentina janë vende mike e partnere të mira. Sivjet është 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve dhe Viti i Bashkëpunimit Miqësor Kinë-Argjentinë. Gjatë 50 vjetëve, marrëdhëniet dypalëshe kanë përjetuar ndryshimet e situatës ndërkombëtare dhe janë bërë shembulli i solidaritetit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët mes ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim. Zhvillimi i shpejtë e i gjithanshëm i marrëdhënieve dypalëshe është pasqyrim i gjallërisë aktive të marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Amerikës Latine. “Shpresoj që pjesëmarrësit në këtë forum të përmbledhin mendimet e të konsolidojnë konsensusin, të ndihmojnë në çeljen e një kapitulli të ri në partneritetin e gjithanshëm strategjik dhe të japin kontribut për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta Kinë-Amerikë Latine në epokën e re dhe të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit,” u shpreh Xi Jinping-u. Presidenti Alberto Fernández shprehu nga ana e tij bindjen që të dyja palët do ta çojnë bashkësinë me të ardhme të përbashkët në një nivel më të lartë zhvillimi. “Bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet mediave të të dy vendeve ka nxitur mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet dy popujve. Shpresoj që të dyja palët do të thellojnë bashkëpunimin, do të forcojnë partneritetin e gjithanshëm strategjik Argjentinë-Kinë dhe do të japin kontribut më të madh për mirëqenien e të dy popujve e për paqen dhe zhvillimin e botës,” tha Fernández. Forumi i Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë u zhvillua të mërkurën në Pekin. Tema e tij ishte “Thellimi i shkëmbimeve mediatike, kërkimi i përbashkët i përfitimeve për popujt”.