FMN i ndau Maqedonisë së Veriut rreth 133 milionë të drejta speciale të tërheqjes

Shkup, 23 gusht – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka ndau rreth 133 milion të drejta të reja speciale të tërheqjes (DST), ose rreth 161 milion euro për vendin tonë, të cilët sot do të përfshihen në rezervat zyrtare devizore, informojnë nga Banka Popullore (BP).

Kjo shumë, shtojnë, na është ndarë në kuadër të sistemimit të ri të përgjithshëm të DST-së së FMN-së dhe korrespondon me kuotën tonë në FMN.

“FMN-ja ka shpërndarë gjithsej 455 miliardë DST (rreth 551 miliardë euro) në 190 vende anëtare. Kjo është shpërndarja më e madhe e DST-së në histori, ose dy herë më e lartë se të gjitha shpërndarjet e mëparshme të kombinuara. Shpërndarja e fundit e përgjithshme e DST-së ishte në vitin 2009, kur janë shpërndarë 161.2 miliardë DST-së në vendet anëtare”, theksojnë nga BP.

Sipas tyre, këtë herë qëllimi i shpërndarjes së përgjithshme të DST-së është t’u sigurojë atyre qasje të papenguar në likuiditetin e këmbimit valutor për vendet në kohën e krizës më të madhe shëndetësore dhe ekonomike me të cilën përballet bota në dekadat e fundit.

DST-ja janë mjete rezervë të krijuara nga FMN -ja që vendet anëtare mund t’i mbajnë si pjesë të rezervave të tyre zyrtare ose t’i përdorin për të paguar borxhet dhe interesat, për të rritur më tej kuotën e FMN -së ose për nevoja të tjera buxhetore.

“Nëse i mbajnë si pjesë të rezervave të tyre zyrtare, vendet nuk kanë kosto. Nëse ato konvertohen në një monedhë tjetër për t’u përdorur për qëllime të tjera, atëherë kostot për vendin janë jashtëzakonisht të ulëta (aktualisht norma e interesit për përdorimin e DST-së është 0.05 përqind)”, saktësojnë nga Banka Popullore.