Flick eviton polemikat për arbitrat, para klasikes me Real Madridin: Fokusi, vetëm te fusha e lojës
“Ne duam të luajmë lirshëm, do të jetë një ndeshje e madhe. Sigurisht, do të kemi qasjen tonë. E patëm kundër Bayernit dhe pamë se duhej të përmirësoheshim. Në çdo ndeshje përshtatemi, tani do ta bëjmë këtë edhe ndaj Real Madridit.
Kundërshtari ka lojtarë të shpejtë, por unë kam besim te skuadra ime, e cila po ecën shumë mirë. Në mesjavë fituam kundër Bayernit, por jemi të vetëdijshëm se duhet të përmirësohemi dhe përshtatemi me situata të ndryshme”.
Kështu u shpreh Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, në prag të “El Clasico” ndaj Real Madridit, në të cilën skuadra e tij do ta arrijë me një ditë pushim më pak se rivalët e bardhë.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, – shtoi Flick. – Real Madridi luajti të martën, ndërsa ne të mërkurën. Të gjithë kanë pozicionin e tyre. Lojtarët do të jenë gati, janë stërvitur shumë mirë”.
Trajneri gjerman mbetet optimist: “Ne kemi një ekip shumë të mirë, me lojtarë të jashtëzakonshëm si Lamine Yamal. Në ndeshjen kundër Bayernit, ai duhej të shtypte Davies nga rreshti i fundit. E bëri më së miri atë që i ngarkova. Lamine është shumë i shpejtë, një lojtar fantastik me topin. E pamë edhe kundër Bayernit, është nder ta shohësh atë që ka bërë. Është gjithashtu e rëndësishme që të përmirësohet në aspektin mbrojtës.
Pastaj është edhe Pau Cubarsi, mendoni se si luan dhe çfarë ka bërë… Ai është gjithashtu shumë i mirë, ke qejf ta shohësh duke luajtur. Është gjithmonë i uritur për t’u përmirësuar, për t’u stërvitur fort, për të ngritur stekën. Ai jep gjithçka për Barçën, ka pasur një udhëtim të jashtëzakonshëm”.
Kur luan në “Bernabeu”, njerëzit thonë gjithmonë se ekziston “faktori i panjohur” i arbitrave. Flick eviton të hapë polemika të tilla: “Arbitrat bëjnë një punë shumë të vështirë, nuk është puna ime të merrem me ta. Puna ime është të përgatis lojtarët. Kam përvojë të mirë me arbitrat, nuk kam probleme. E kam këshilluar ekipin tim që të fokusohet te performanca në fushë, asgjë tjetër. Ne nuk e diktojmë dot performancën e arbitrave”.
Gazetarët ngulmuan, duke e ngacmuar se ndonjëherë ndodhin gjëra të pabesueshme me arbitrat në “Bernabeu”: “Unë kam luajtur tashmë në stadiumin e Real Madridit si lojtar dhe asgjë nuk ka ndodhur me arbitrat”.