Flaka Olimpike e Lojërave Dimërore u ndez në një stadium të zbrazët
Flaka Olimpike u ndez në një stadium të zbrazët të hënën në rrënojat e Tempullit të Herës në Olimpia, para se të fillonte udhëtimin për në Pekin për Lojërat e ardhshme Dimërore.
Ashtu si në ceremoninë e marsit të vitit 2020 për të ndezur flakën e Olimpidës së shtyrë të Tokios, edhe këtë herë pati kufizime të rrepta prej koronavirusit.
“Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, Ceremonia e Ndezjes së Pishtarit do të mbahet në përputhje të rreptë me protokollet shëndetësore vendore,” njoftoi Komiteti Olimpik Grek në shtator.
Publiku ishte i kufizuar, me pjesëmarrjen vetëm të anëtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar e të komiteteve olimpike greke e kineze, të presidentes së Greqisë Katerina Sakellaropoulou dhe të përfaqësuesve të medieve.
Por publiku nuk ishte aspekti i vetëm që u kufizua. Tradicionalisht, flaka udhëton qindra kilometra rreth Greqisë, duke shkuar në pesëdhjetë qytete e pika arkeologjike, e mbajtur nga artistë dhe sportistë nga e gjithë bota. Këtë vit, stafeta e flakës olimpike është jashtëzakonisht e ndryshme, dhe sportistët nga Greqia dhe Kina do të kryejnë vetëm një pjesë të vogël të udhëtimit të flakës.
“Nuk do të ketë stafetë pishtari në tokën greke dhe pas Ceremonisë së Ndezjes në Olimpian e Lashtë, Flaka Olimpike do të dërgohet në Akropol, ku do të qëndrojë gjatë natës,” thanë organizatorët më 12 tetor.
Të hënën në mbrëmje, flaka do të qëndrojë e fikur në Akropolin e Athinës. Pastaj, të martën, do të çohet në stadiumin “Panathinaikos” në Athinë, një arenë e shekullit të dytë e përdorur në olimpiadat e viteve 1896 dhe 2004. Nga atje do t’i dorëzohet delegacionit të “Pekin 2022” dhe do të fluturojë për në Kinë.
Priftëresha Ksanthi Gjeorgjiu ndezi pishtarin me flakë të krijuar nga përqendrimi i rrezeve të diellit në një konkavë. Skiatori grek Joanis Antoniu, ish-patinatori kinez Li Jiajun dhe Vasilis Papavasiliu ishin përgjegjës për pjesën tjetër të stafetës së thjeshtuar.
“Është një nga nderet më të mëdha për një sportiest që të jetë pishtarmbajtësi i parë për Olimpiadën, veçanërisht ndërsa jam duke u përpjekur të kualifikohem dhe të marr pjesë në ato Lojëra,” theksoi Antoniu për AFP-në.