FJALIMI I REISUL ULEMASE H.HFZ. SHAQIR EF. FETAI NE IFTARIN TRADICIONAL

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të mërkurën më 06.04.2023, shtroi iftarin tradicional me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ky iftar bëri bashkë figura të spikatura të jetës politike dhe shoqërore në vend, korin diplomatik, krerët e bashkësive fetare , udhëheqës të dikastereve të ndryshme, gazetarë, biznesmenë dhe mysafirë nga vendet fqinje.

Në vazhdën e kësaj tradite të bukur, Kryetari i BFI e RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti një fjalim me të cilin i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen.

Vijon fjalimi i Reisul Ulemasë:

TË NDERUAR TË PRANISHËN

Sonte është një natë e madhe, natë e Muajit të bekuar të Ramazanit, ndërsa Iftari i përbashkët është ambienti më madhor dhe më i bukur, sepse iftari bashkon njerëzit në ndjenjat e tyre, në zemrat e tyre, në kujdesin ndaj njëri tjetrit pa marrë parasysh racën kombin apo besimin.

Iftari dëshmon konceptin hyjnor të Zotit se njeriu është vepra më e bukur dhe më e dashur e Zotit dhe çdo tendencë e nënçmimit të kësaj vepre të përkryer të Zotit, është kundër vullnetit dhe ligjit të Zotit.

Andaj, Iftari është ambient i Ramazanit kur pas agjërimit vjen dashuria ndaj njëri tjetrit, afërsia me tjetrin, mbjellja e paqes, solidaritetit, mirëqenies, kujdesit dhe ideja për një jetë të lumtur për të gjithë.

Andaj, prezenca e juaj sonte në këtë iftar modest kësaj nate dhe këtij ambienti të iftarit i dhatë kuptimin, synimin dhe gatishmërinë për të evituar të keqen, destruktiven, armiqësinë në mes njerëzve, për të eliminuar varfërinë, skamjen, dhe për të qenë në shërbim të njëri tjetrit.

Siç thotë i madhi Zot në Kur’anin Famëlartë:

” Ndihmohuni në mes veti në të mirën dhe në devotshmëri, dhe assesi mos ndihmoheni në mëkat dhe armiqësi”

Kam nder të veçantë që në emër të BFI e RMV dhe në emrin tim, t’ju shprehim falënderimet tona për prezencën e Juaj shumë të sinqertë duke lutur të Madhin Zot të na jep fuqinë e besimit, urtësisë, guximit, qëndrueshmërisë, faljen, paqen, solidaritetin për të trasuar rrugën e një të ardhme më shëndosh me plotë lumturi dhe dashuri në mes njerëzve dhe kombeve në botë.

Ju faleminderit dhe Zoti Ju bekoftë.

KRYETARI I BFI EVRNV

REISUL ULEMA

H.HFZ. SHAQIR EF. FETAI