FIZHT investon në pesë kompani për zhvillim të zgjidhjeve për përballje me ndryshimet klimatike

Shkup, 5 dhjetor – Gjithsej pesë kompani vendore janë fituese të mbështetjes financiare në kuadër të sfidës për “Përballje me ndryshimet klimatike 2022” të cilën e zbatoi Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në bashkëpunim me Kabinetin e zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koordinim me Sektorët Ekonomikë dhe Investime.

Fitues janë – projekti “Ndikimi i rrjeteve mbrojtëse ndaj cilësisë dhe potencialit antioksidues të mjedrave dhe manaferrave të kultivuara në rajonin e Kriva Pallankës” i kompanisë Villamet, projekti „Challenger@Work” i kompanisë Grint TI, projekti “Pllaka ekologjike bekatoni nga lëvozhgat e orizit dhe linjitit” i kompanisë Inovativnost SHPKNJP, projekti “Lama” i kompanisë Kodhem SHPKNJP dhe projekti “Nga mbeturinat në vlerë organike” Dominos SHPKNJP.

Zgjidhjet novative të cilat i ofruan pesë kompanitë, thonë nga FIZHT, do të mundësojnë zhvillimin e teknologjive, produkteve dhe/ose proceseve novative, klimatike/të pastra që synojnë zbutjen ose reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimet klimatike janë një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi, prandaj jam vërtet krenar që FIZHT është i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet e përbashkëta të Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshimeve klimatike, veçanërisht me investime në sektorë të cenueshëm. Sfida – përballja me ndryshimet klimatike paraqet jo vetëm fillimin, por edhe një hap konkret që e kemi realizuar në drejtim të forcimit të financimit të klimës në Maqedoninë e Veriut, me të cilin kemi inkurajuar potencialin e sektorit privat për të investuar në zgjidhje novative në përballjen me ndryshimet klimatike”, theksoi Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Halili shprehu bindje se projektet e mbështetura të kompanive, por edhe, siç tha, të gjithë ne – institucionet, organizatat shkencore dhe civile dhe sektori privat, në mënyrë aktive do të përfshihemi në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Buxheti i përgjithshëm i thirrjes është 7.5 milionë denarë, ndërsa Fondi siguron financim deri në 90 për qind të buxhetit të përgjithshëm për projektin, në shumën maksimale prej 1.5 milionë denarë për projekt. Zbatimi i projekteve fituese mund të jetë deri në 12 muaj.

Gjithsej 25 aplikime për projekte u dorëzuan në sfidën, e cila ishte e hapur nga data 14 qershor deri më 1 shtator 2022 dhe kaloi dy fazat e para-përzgjedhjes dhe përzgjedhjes përfundimtare nga Komisioni i Vlerësimit dhe Përzgjedhjes, i cili mori edhe vendimin përfundimtar për financimin e pesë aplikacioneve më të mira për projekte