Fillon skriningu për Kovid në shkollat fillore, rekomandimet për trajtim në ueb faqen e MSH-së
Shkup, 18 shkurt – Në shkollat fillore sot nis skriningu që do të tregojë transmetimin e Kovid-19 tek nxënësit. Skriningu zbatohet për shkak të numrit të rritur të nxënësve të sapoinfektuar. Në shkollat e mesme gjendja është stabile por do të ndiqet.
Skriningun do ta zbatojnë ekipet e punonjësve shëndetësor të cilët sipas metodologjisë së konfirmuar do t’i mbledhin të dhënat, të cilat do të dorëzohen për analizë në Institutin për Shëndet Publik dhe Shërbime Epidemiologjike, me qëllim që të merret pasqyrë reale për atë si bartet virusi në shkollat fillore.
“Komisioni solli konkludim të monitorojë dhe analizojë nga afër situatën në shkolla dhe nëse konstatohet rritje e numrit të nxënësve në lidhje me të infektuarit rishtas, të kryhen skrining testime në shkolla për të përcaktuar gjendjen reale dhe rrezikun e transmetimit më të gjerë të virusit mes nxënësve. Prandaj sot do të fillojë depistimi në shkollat fillore ku është rritur numri i të infektuarve. Nuk ka një situatë të tillë në shkollën e mesme. Aty gjendja epidemiologjike monitorohet dhe sipas raportimeve të Institutit të Shëndetit Publik është stabile. Megjithatë, shifrat shqetësuese që morëm nga shkollat fillore ishin alarm për të inicuar dhe aplikuar një kontroll të tillë që do të na tregojë se çfarë është transmetimi në shkollat fillore”, tha Mehmedoviq.
Kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski tha se skriningu do të zhvillohet në shkolla, dhe fëmijët, prindërit e të cilëve kanë dhënë pëlqimin do të testohen me test të shpejtë në shkolla dhe nuk do të ketë nevojë t’i dërgojnë në Qendrat për Shëndet Publik siç ishte planifikuar fillimisht.
“Në këtë mënyrë duam t’ua lehtësojmë qasjen tek testet dhe kjo të bëhet me minimum komplikime pas tyre”, shtoi Petliçkovski.
Prej dje në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë janë të qasshme edhe rekomandimet për trajtim të KOVID-19, të cilat janë destinuar për të gjithë mjekët e përfshirë në trajtimin e pacientëve.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas konferencës për shtyp, Petliçkovski theksoi se me rekomandimet për mjekët të arritshme në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, i bëjnë të arritshme informatat e bazuara në dëshmi me qëllim që të mundësojnë një qasje më të harmonizuar për të gjithë pacientët me KOVID-19.
“Rekomandimet të cilat janë të arritshme në ueb faqe janë verzioni i katërt ose i pestë i rekomandimeve ekzistuese të cilat janë shfrytëzuar në të kaluarën, por edhe kanë pasur ndryshime. Ky version i cili është nga shtatori i vitit 2021 dhe është i katërti ose i pesti do të pësojë ndryshime, si do të ndryshohen njohuritë shkencore internacionale ashtu do të ndërrohen. Ato janë menduar të jenë një udhërrëfyes për të gjithë mjekët e përfshirë në trajtimin e pacientëve me Kovid-19 dhe nuk kanë karakter obligativ, por janë këtu për të shërbyer nga një vend për të nxjerrë informacionin përkatës, që të mos jemi në një situatë ndonjë mjek të këshillojë terapi e cila nuk është rekomanduar, këtu mendoj në ilaçin ivermektin”, tha Petliçkovski, duke shtuar se për atë ilaç nuk ka dëshmi shkencore se ndihmon në trajtimin e Kovid-19.
Në lidhje me numrin e rritur të rasteve të vdekjes nga Kovid-19 në shtet, Petliçkovski tha se në asnjë kontekst nuk mund të thuhet se vdekshmëria e rritur është rezultat i mosrespektimit të protokolleve dhe beson se kjo i detyrohet shëndetit tonë të neglizhuar.
Përmendi se ekzistojnë edhe vende në të cilat ka numër më të vogël nga rastet e vdekjes, por ato janë vende me kulturë shëndetësore më të ndryshme nga e jona.
Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti për Shëndet Publik, janë regjistruar 1,117 raste të reja nga 3.513 testime të kryera. Prej tyre, 154 janë riinfeksione. Kanë vdekur 14 persona, ndërsa edhe tetë janë regjistruar të vdekur me diagnozë të Kovid-19.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë është 290.915, numri i të shëruarve 273.243, numri i viktimave 8.851, ndërsa numri i rasteve aktive 8.821 prej të cilëve 4974 janë në Shkup.

