Fillon ndërtimi i pishinës moderne në Shkollën “Adem Jashari” në Çair

Shkup, 30 korrik – Në Çair së shpejti do të nisë ndërtimi i një pishine moderne shkollore pranë Shkollës Fillore “Adem Jashari”, projekt i cili vlerësohet si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit dhe sportit në komunë.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë Izet Mexhiti, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe drejtues institucionesh, vizituan sot hapësirën ku do të ndërtohet pishina, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal.

“Ky projekt, me vlerë prej 1 milion euro, financohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pishina do të ndërtohet pranë sallës ekzistuese sportive, duke krijuar një qendër të plotë arsimore dhe rekreative për nxënësit dhe banorët e zonës,” tha Ganiu.

Pishina e re synon të përmirësojë kushtet për aktivitet fizik dhe edukim shëndetësor për fëmijët, duke u shërbyer gjithashtu edhe qytetarëve të Çairit.