Fillon festivali i kulturës shqiptare “Këngë Jeho”
Me performancën e shoqërisë kulturore artistike “Valët e Liqenit” nga Ladorishti, sonte në Strugë do të fillojë edicioni i 31-të i festivalit të këngëve dhe valleve të stilizuara “Këngë Jeho”.
Përveç shoqërive nga shteti, në edicionin e sivjetmë të festivalit, siç informoi drejtori Zini Jusufi, do të performojnë edhe ansamble nga Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia.
“Edicionin e sivjetmë do ta hapë shoqëria ‘Valët e Liqenit’ nga Ladorishti , ndërsa në ditët e ardhshme të festivalit promovim të kulturës dhe vlerave të tyre do të kenë shoqëritë ‘Xheladin Zeqiri’ nga Tetova, ‘Emin Duraku’, nga Shkupi, ‘Bajram Shabani’ nga Kumanova, si dhe shoqëritë kulturore artistike nga Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi”, theksoi Jusufi.
Qëllimi i festivalit, theksoi ai, është promovimi i kulturës dhe vlerave shqiptare dhe është me rëndësi të madhe për Strugën dhe struganët.
“Ky festival është i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët, për gjithë Strugën, por, edhe gjithë shtetin. Këtu performojnë shoqëri nga e gjithë bota. Duhet ta zhvillojmë qytetin, ndërsa pa bashkëpunim nuk mund të ecë përpara”, tha Jusufi.
Festivali “Këngë Jeho” do të mbahet në Sheshin e Qytetit në Strugë, prej sot deri më 17 korrik në organizimin e shoqërisë me emër të njëjtë, ndërsa me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Strugës.
Gjatë 30 edicioneve të kaluara në skenën e festivalit kanë performuar mbi 1.000 shoqëri dhe ansamble folklorike, si nga vendi ashtu edhe nga bota.


