Filloi takimi i grupit të punës midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në infrastrukturë, transport dhe lidhje

Sofje, 10 shkurt – Në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal të Bullgarisë filloi takimi i grupit të punës për bashkëpunim në fushën e infrastrukturës, transportit dhe lidhjeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja.

Takimin e hapi zëvendëskryeministri bullgar dhe ministër i Zhvillimit Rajonal, Grozdan Karaxhov. Ai mysafirët i porositi se mund të mbështeten në bashkëpunimin e plotë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale në drejtimin e duhur dhe me shpejtësi akoma më të madhe.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Boçvarski, nga ana tjetër, theksoi se Grupi i punës për lidhje, transport dhe energji i kushtohet së ardhmes dhe do t’i japë shans zhvillimit jo vetëm të të dyja shteteve por edhe Ballkanit dhe të gjithë Evropës Juglindore.

“Sot në Sofje dhe nesër në Shkup grupi i punës po bën gjithçka që t’u ndihmojë qytetarëve të të dyja vendeve dhe të ardhmes së tyre të përbashkët, t’u mundësojë ekonomive të jenë më të fuqishme dhe të kemi infrastrukturë më të mirë dhe moderne dhe të zgjidhet lidhja energjetike”, tha Boçvarski.

Pres, shtoi ai, se do të vazhdojmë edhe nesër në Shkup të gjejmë zgjidhje për të gjitha temat e rëndësishme në sektor.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski paraprakisht deklaroi se në Sofje ka biseduar për edhe një bashkëpunim më serioz ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, veçanërisht midis kryetarëve, komunave dhe shoqatave të të dyja shteteve dhe hapjes së pikës rajonale kufitare Klepalo, që është shumë e rëndësishme për njerëzit e të dyja anëve të kufirit.

“Mendoj se periudha që pason do të jetë produktive dhe do të fillojnë aktivitete që të realizohet hapja e kësaj pike kufitare”, tha Milevski.

Ai përkujtoi se në vitin 2019 është nënshkruar memorandum midis dy ministrive por se deri më tani nuk është bërë asgjë. Shpresoj, potencoi se qytetarët e të dyja vendeve do t’i shfrytëzojnë përfitimet ekonomike nga ajo që do të arrihet.