Filipov: Koha që partitë të mbizotërojë interesi shtetëror, edhe përgjegjësi e opozitës

Shkup, 14 gusht – Është koha që te partitë politike në vend të mbizotërojnë interesi i shtetit, mbi interesin e partisë. Kështu që, edhe pse në shikim të parë dhe nga këndvështrimi aktual nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese, kjo nuk do të thotë se edhe pas një viti nuk do të ekzistojnë, vlerëson ambasadori dr. Gjorgi Filipov.

Ai pajtohet se kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës para fillimit të bisedimeve është realisht një lloj precedenti, por thotë se kërkesa të ngjashme kanë pasur edhe disa ish-kandidatë, sot anëtarë të Bashkimit Evropian, vetëm se urgjenca nuk ka qenë e shprehur aq brutalisht, gjë që mund të krahasohet me shantazh.

“Situatë të ngjashme kemi pasur edhe para anëtarësimit në NATO, që do të thotë se kombi tashmë ka një përvojë kolektive nga e cila ka mësuar diçka, kështu që besoj se institucionet kompetente dhe partitë politike nga pushteti dhe opozita do të kenë sukses, në emër të progresit të shtetit, të gjejnë zgjidhje të përshtatshme politike, e me këtë rast të ruajnë dinjitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe identitetin e popullit maqedonas dhe veçantinë dhe origjinalitetin e gjuhës maqedonase, të cilën ky popull e ka folur që nga kohërat e lashta, madje edhe me fjalorin e vet digjital të gjuhës maqedonase, të shfrytëzuar nga maqedonasit dhe kombet e tjera që kanë nevojë, pavarësisht se kur është standardizuar. VMRO-DPMNE është parti serioze politike, me numrin më të madh të anëtarëve të regjistruar të partisë, si rrjedhojë edhe bartëse e përgjegjësisë së madhe për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që flet se pozita e kundërshtarit të koalicionit qeveritar nuk do të thotë edhe kundërshtar të marrjes së vendimit të duhur në koordinatën e dhënë hapësinore, politike, mbrojtëse, shëndetësore dhe ekonomiko-sociale në të cilën gjendet vendi”, nënvizon ambasadori Filipov.

Në vazhdim intervista e plotë me ambasadorin dr. Gjorgi Filipov.

Më 19 korrik, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Në rrjedhë është skriningu, por është njëfarë precedenti që hapja e kapitujve kushtëzohet me ndryshime kushtetuese për të përfshirë pjesë të popujve (bullgarë) që jetojnë në vend, në Preambulën e Kushtetutës. Duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike dhe mos devijimin e VMRO-DPMNE-së nga qëndrimi se nuk do të lejojë ndryshime të Kushtetutës, a mendoni se ka kushte për miratimin e ndryshimeve kushtetuese?

-Keni të drejtë që keni përdorur fjalën “njëfarë”, meqë kërkesa e tillë për ndryshim të Kushtetutës, para vetë fillimit të bisedimeve, është vërtet precedent, por kërkesa të ngjashme kanë pasur edhe disa ish-kandidatë të tjerë, sot anëtarë të Bashkimit Evropian, vetëm se urgjenca nuk ka qenë aq e shprehur dhe aq brutale, e artikuluar në mënyrë eksplicite, procedurë që mund të krahasohet me shantazh. Një situatë të ngjashme kemi pasur edhe para anëtarësimit në NATO, që do të thotë se kombi tashmë ka përvojë kolektive nga e cila ka mësuar diçka, kështu që besoj se institucionet kompetente dhe partitë politike nga pushteti dhe opozita do të kenë sukses, në emër të progresit të shtetit, të gjejnë zgjidhje të përshtatshme politike, e me këtë rast të ruajnë dinjitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe identitetin e popullit maqedonas dhe veçantinë dhe origjinalitetin e gjuhës maqedonase, të cilën ky popull e ka folur që nga kohërat e lashta, madje edhe me fjalorin e vet digjital të gjuhës maqedonase, të shfrytëzuar nga maqedonasit dhe kombet e tjera që kanë nevojë, pavarësisht se kur është standardizuar. VMRO-DPMNE është parti serioze politike, me numrin më të madh të anëtarëve të regjistruar të partisë, si rrjedhojë edhe bartëse e përgjegjësisë së madhe për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që flet se pozita e kundërshtarit të koalicionit qeveritar nuk do të thotë edhe kundërshtar të marrjes së vendimit të duhur në koordinatën e dhënë hapësinore, politike, mbrojtëse, shëndetësore dhe ekonomiko-sociale në të cilën gjendet vendi. Është koha që edhe te partitë politike maqedonase, nuk e kam fjalën vetëm për partitë me shenjë etnike – maqedonase, të mbizotërojë interesi i shtetit, respektivfisht i të gjithë banorëve në të, mbi interesin e partisë. Pra, edhe pse në pamje të parë dhe nga këndvështrimi aktual nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese, nuk do të thotë se ato nuk do të ekzistojnë as pas një viti.

Si e vlerësoni insistimin e VMRO-DPMNE-së opozitare  për rishikimin e kornizës së negociatave për shkak të papranueshmërisë së pjesëve të propozimit francez dhe kërkesës së tyre për deklarim në referendum. A është e nevojshme dhe a është e mundur mbajtja e referendumi pas fillimit formal të procesit?

– Dihet Përgjithësisht se nuk mund të lëvdohemi me ndonjë përvojë të madhe pozitive nga mbajtja e referendumeve. Në shtetet tjera, referendumet zakonisht bëhen pasi të arrihet pëlqim me dy të tretat në Parlament, e më pas kontrolli përfundimtar i vendimit bëhet përmes deklarimit më të gjerë të qytetarëve, respektivisht referendumit. Përvojat tona negative, nga të cilat, nëse jemi të arsyeshëm, duhet të kishim mësuar tashmë diçka, janë për faktin se kërkesat për shpalljen e referendumit hidhen në tavolinën politike pasi partitë tashmë e kanë “përçarë” elektoratin. Në matricën e tanishme komplekse të marrëdhënieve të përgjithshme në vend, do të ishte më e pranueshme që të arrihet pëlqim brenda Kuvendit, të vazhdohen bisedimet, të bëhen përpjekjet në çdo qelize të shoqërisë për përfundimin e tyre më të shpejtë, e më pas ka vend për referendum. Edhe ashtu disa nga vendet zbatojnë referendume përpara hyrjes në aleancë. Këtë mund ta bëjmë edhe ne, me koka më të ftohta, me përvojë të re nga procesi i bisedimeve, me institucione të forcuara të shtetit, gjyqësor të përmirësuar, zvogëlim të korrupsionit, më afër standardeve evropiane dhe me vetëdije se Maqedonia e Veriut do të jetë shumë më e fortë kur bashkimi politik dhe ekonomik të popujve të Evropës, ku e kemi vendin, jo vetëm për shkak të përkatësisë gjeografike, por edhe për shkak të ndarjes së vlerave të përbashkëta evropiane.

Në kontekst të procesit të anëtarësimit, segment i rëndësishëm janë Marrëveshja e Prespës e nënshkruar me Greqinë dhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, me të cilat janë parashikuar detyrime të dyanshme. Nëse marrim parasysh sjelljen e Athinës pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe të Sofjes, e cila shpreh pakënaqësi të hapur nga dinamika e zbatimit të saj, a prisni bllokada të shpeshta nga Bullgaria apo procesi i bisedimeve do të kishte rrjedhur në mënyrë të papenguar?

– Nuk pres bllokada të shpeshta të bazuara vetëm në marrëveshjet e nënshkruara me këta dy fqinjë, pa dallim varësisht nga insistimi aktual i Bullgarisë. Besoj se ato insistime të fqinjit lindor ishin më shumë rezultat i paqëndrueshmërisë së brendshme politike të tri qeverive të fundit, sesa i raportit ndaj çështjes maqedonase, siç e kanë zakon të thonë. Nga trajnimet që kam kaluar, por më shumë nga eksperienca, besoj se në çdo bisedime zbatohen tre rregulla: nuk guxoni të jeni ata që do t’i ndërprejnë ose braktisin bisedimet, përpiquni të mos mendoni për faktorin kohë, por fokusohuni në mënyrë të përgatitur në qëllimin që paraprakisht ia keni vënë vetes më parë dhe mos i zbuloni vijat e kuqe përpara palës me të cilën bisedoni. Ne e dimë se parlamentet, si në palën bullgare ashtu edhe në atë maqedonase, tashmë i kanë zbuluar “vijat e kuqe”, që do të thotë se nuk është e mundur që bisedimet të ecin “në mënyrë të papenguar”. Për fat të mirë, kjo nuk do të thotë që pengesat që shfaqen nuk do të jenë të mënjanuara ose anashkaluara menjëherë. Sigurisht që gjatë bisedimeve, bisedohet me të 27 anëtarët e BE-së, mund të shfaqen edhe pengesa të paparashikueshme, por ashtu siç gjetën zgjidhje edhe ish-kandidatët e tjerë, edhe ne do t’i tejkalojmë sfidat e tilla.

Sa e zgjidhi realisht propozimi francez, respektivisht hapi çështjen e zgjidhjes së kontestit maqedonaso-bullgar, bëhet fjalë për mosmarrëveshje për proceset historike, disa më të largëta, disa më të afërta, sa e kemi shmangur realisht historinë në Propozimin?

– Propozimi francez ishte rrugëdalje nga labirinti në të cilin të dyja palët u gjendën të bllokuara në bindjet e tyre. Nga larg shihej se duhej përfshirë elementi i tretë, respektivisht asistencë e palës së tretë me autoritet ndaj të dyja palëve. Në atë moment, pala e tretë më autoritative ishte Presidenca e BE-së, Republika e Francës. Larg asaj se propozimi francez “e zgjidhi” problemin, por është fakt se zhbllokoi rrotën e ngelur në baltën e së shkuarës, akuzat reciproke dhe mosbesimin e krijuar prej vitesh dhe ndihmoi në nisjen formale të bisedimeve me BE-në, të quajtur skrining. Gjithsesi, historia nuk është shmangur, por është shmangur ndikimi i saj në zhvillimin e bisedimeve mbi baza të tjera dhe hapje dhe mbyllje të kapitujve në të cilët historia nuk ka kurrfarë kuptimi. Kushti i vetëm është përfshirja e popullit bullgar në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë, ndërsa çështjet e tjera, si puna e Komisionit për Histori, janë temë tjetër dhe nuk janë relevante për mbarëvajtjen e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Ministrja e Kulturës javën e kaluar pas një deklarate të saj u akuzua për censurë kulturore. Si do t’i zgjidhim këto mosmarrëveshje, ku është sipas jush kufiri?

– Në nenin 16 të Kushtetutës paragrafi 1 “garantohet liria e besimit, e ndërgjegjes, e mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit”. Në paragrafin e fundit të po këtij neni shkruan se “censura është e ndaluar”. Vetë ministrja u kërkoi falje atyre që janë ndier të lënduar apo menduan se ajo me qëndrimin e saj ka tentuar të vendosë censurë të shprehjes. Unë vetë konsideroj se nuk ka pasur ndërmend të vendoste asnjë censurë, por deklarata e saj paralajmëroi se të gjithë personalitetet publike duhet t’i kushtojnë vëmendje qartësisë së shprehjes dhe të mos lejojnë të keqkuptohen. “Liria e fjalës” nuk duhet të barazohet me “gjuhën e urrejtjes”. Prandaj, të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje për të krijuar përkufizim se çfarë do të përbënte “gjuhë të urrejtjes” në këtë rast konkret. Derisa janë në fazën e krijimit, të dy fqinjët duhet të kultivojnë me vetëdije raport më tolerant ndaj folësve, e veçanërisht personalitetet e tyre të shquara publike duhet, si shembull, të praktikojnë aftësinë për të folur për mosmarrëveshje ose kundërshtim pa përdorimin e ofendimeve dhe urrejtjes. Në instancën e fundit, ndaj “folësve të urrejtjes” duhet të aplikohen edhe kallëzimet për kundërvajtje, edhe ato penale.

Ju jeni njohës i mirë i Marrëveshjes së Prespës, me të kemi mbyllur një kontest shumëvjeçar, kemi marrëveshje edhe me Bullgarinë, por kontesti me këtë vend u hap pas nënshkrimit të saj. Ku e gjeni gabimin në rastin e dytë?

– Me Marrëveshjen e Prespës, pala greke u pajtua se ka “popull maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase”. Me këtë rast, insistonte që ai popull dhe ajo gjuhë të mos lidheshin drejtpërdrejt me popujt dhe gjuhët nga koha e shteteve antike dhe qytet-shteteve të lashta që flisnin gjuhën greke dhe kultivonin kulturën greke. Konkretisht, insistonte që populli maqedonas dhe gjuha maqedonase të konsiderohen si popull me origjinë sllave që flet gjuhën maqedonase, që rrjedh nga gjuha që e kanë folur sllavët maqedonas. Qëndrim i tillë nuk është larg nga praktika e pranuar përgjithësisht shkencore për të se nga cila degë e Pemës së gjuhëve të kombeve e ka origjinën gjuha maqedonase. Në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me vetë nënshkrimin e bërë në gjuhën maqedonase sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në të cilën shkruan se në Republikën e Maqedonisë jeton populli maqedonas dhe popujt tjerë të përmendur edhe në gjuhën bullgare sipas Kushtetutës së Republikës së Bullgarisë, në të cilën e dimë se jeton populli bullgar, pala bullgare tashmë ka pranuar se ekziston popull maqedonas dhe gjuhë maqedonase. Ku është gabimi? Nuk ka asnjë gabim, përveç nëse interpretimi i ndryshëm i dispozitave individuale lidhet me zhvillimet e brendshme politike dhe përdorimin e kësaj Marrëveshjeje të fqinjësisë së mirë për “ikje elegante nga realiteti”, kështu që pala bullgare miratoi “Deklaratë se si do të interpretohet Marrëveshja”, ndërsa pala maqedonase miratoi deklaratë edhe më të fortë të quajtur “Rezolutë”, me çka parlamentet i penguan shkencëtarët të kërkonin një të vërtetë shkencore të pranueshme reciprokisht dhe i udhëzuan ata të hulumtojnë sipas parimeve të shkencës, por të kenë parasysh se zgjidhja duhet të jetë në kuadër të deklaratave politike, të cilat megjithatë janë vetëm politike. Fatkeqësisht, edhe Akademia e Shkencave e Maqedonisë edhe ajo Bullgare janë infektuar me politikë apo politikëbërje, kështu që nuk dihet më nëse po lexojmë apo dëgjojmë fjalimet e deputetëve apo shkencëtarëve.

Sipas vlerësimeve të disa analistëve, projeksionet janë se deri në vitin 2030, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të bëhen pjesë e familjes evropiane. A janë të realizueshme këto projeksione nëse merret parasysh procesi i gjatë i bisedimeve me Malin e Zi dhe Serbinë, por edhe fakti që legjislacioni maqedonas është tashmë 45 për qind i harmonizuar me AKI-n?

– Konsideroj se viti 2030 është i pranueshëm si pikë referimi për përfundimin e procesit të bisedimeve. Madje mendoj se pala maqedonase mund ta mbyllë atë proces më shpejt nëse nuk ka kurdisje nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që janë kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Nuk duhet të bëjmë krahasime me negociatat e Serbisë dhe Malit të Zi, sepse ato kanë specifikat e tyre. Çdo vend ka paguar një çmim, më të vogël apo më të madh, për privilegjin e të qenit anëtar i BE-së, kështu që Serbia dhe Mali i Zi do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Në kërkimin e mënyrës së pagesës, nuk përjashtohet që të katër vendet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030, megjithëse tani për tani Mali i Zi dhe Serbia kanë përparim të madh.

Si do të ndikojnë në procesin e bisedimeve për anëtarësim, zhvillimet në rajon ka pasur tensione në Kosovë, por edhe ato globale, para së gjithash me luftën në Ukrainë?

– Është pak e pazakonshme, por ne pamë se invazioni i Rusisë në Ukrainë dhe marrëdhëniet e tensionuara në Kosovë, “kontribuuan” në njëfalë mënyrë në gjetjen e një mënyre për të hequr veton bullgare ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë, me çka u hapën dyert për të filluar skriningun, si hyrje në bisedimet me BE-në. Në të njëjtën kohë, edhe Ukraina edhe pse në luftë, edhe Moldavia, morën statusin e kandidatit. Le të shpresojmë se Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme, që nuk do t’i shpejtojë bisedimet, por sigurisht do të relaksojë atmosferën e bisedimeve, si për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ashtu edhe për Serbinë e Malin e Zi. Zhvillimet në Ukrainë kanë ndikim negativ në procesin e bisedimeve, si dhe në të gjithë situatën në BE dhe në botë, por ato drejtpërdrejt kanë pak ndikim në procesin e bisedimeve të aderimit të Shkupit dhe Tiranës me Brukselin.