Filipinet heqin dorë nga blerja e helikopterëve nga Rusia

Qeveria e Filipineve është tërhequr nga blerja e 16 helikopterëve transportues ushtarak rusë për shkak të frikës së sanksioneve nga ana e SHBA-ve, informojnë zyrtarët e atjeshëm.
Ish-ministri i Mbrojtjes kombëtare, Delfin Lorenzana, mbrëmë deklaroi se ka ndërprerë blerjen e helikopterëve “Mi-17” me vlerë prej 12,7 miliardë pezos ose 227 milionë dollarë.
Ai vendimin e solli muajin e kaluar ndërsa u miratua nga presidenti i atëhershëm, Rodrigo Duterte para se t’i mbarojë mandati me 30 qershor.
“Mund të marrim sanksione”, deklaroi Lorenzana duke iu referuar mundësive të Uashingtonit për të shprehur pakënaqësi nga finalizimi i marrëveshjes me Rusinë në një periudhë kur ka përkeqësim të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe vendit.
Lorenzana theksoi se zyrtarët amerikan të sigurisë janë të vetëdijshëm për vendimin e Manilës dhe është e mundur të propozojnë helikopterë të ngjashëm për nevojat e ushtrisë filipinase.