Fetai priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi
Shkup, 20 qershor – Sot pata nderin të mirëpres në një takim vëllazëror kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, z. Enkel Rexhepi, dhe shefin e kabinetit të tij, z. Alban Alili. Biseduam hapur për sfidat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe planet për të ardhmen e tyre.
Diskutuam çështje të rënda si pasivizimi i adresave, një spastrim administrativ i padrejtë nga Serbia, që u mohon shqiptarëve të drejtat bazike, përfshirë votën dhe dokumentet personale. Gjithashtu, folëm për vështirësitë e nostrifikimit të diplomave të studentëve të diplomuar në Kosovë, pengesë që u pamundëson punësimin dhe zhvillimin profesional, pavarësisht marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi.
U pajtuam për bashkëpunim në krijimin e institucioneve kulturore shqiptare në Luginë, duke u mbështetur në përvojat tona, si Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe ansamblet e valleve, për të ruajtur identitetin tonë të përbashkët.
Si zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe shqiptar, i garantova z. Rexhepi mbështetjen tonë të palëkundur për bashkëkombësit në Luginën e Preshevës.

