Femrat në RMV, më shumë në numër, më të arsimuara por sërish të diskriminuara

Shkup, 4 prill – Javën e kaluar u publikuan rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë të realizuar nga 5-21 shtator të vitit 2021.

Në totalin e popullsisë së regjistruar, 54.21% janë deklaruar si Maqedonas, 29.52% si Shqiptarë, 3.98% si Turq, 2.34% si Romë, 1.18% si Serbë, 0.87% si Boshnjakë dhe 0.44% si Vlleh.

Në totalin e popullsisë rezidente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, 50.4% janë femra dhe 49.6% meshkuj.

Edhe përskaj kësaj që femrat në numër dominojnë meshkujt në Maqedoninë e Veriut, sërish zhvillohet beteja për barazi gjinore në këtë shtet, që rrallë herë marrin femrat atë që u takon. Si në pozita vendimmarrëse, ngjashëm edhe në pozitat udhëheqëse janë më pak të përfaqësuara, shkruan Zhurnal.

Barazia gjinore është një ndër objektivat kryesore të Bashkim Evropian. Në të dhënat e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, shihet se gratë nuk janë të kyçura barabartë si burrat në tregun e punës. Nga 795 276 persona të punësuar në Maqedoninë e Veriut 478 903 persona janë meshkuj ndërsa 316 373 persona janë femra.

Mes tjerash gratë në RMV, edhe krahas numrit që janë më shumë edhe sipas regjistrimit të fundit, janë në numër më të madh edhe nga aspekti arsimimit sërish diskriminohen e privohen në shumë sfera, ngjashëm edhe në aspektin e punësimit dhe marrjes së pagave.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Platformës për Barazi Gjinore janë mbi 220 000 gra të regjistruara si amvise dhe që nga Enti i statistikave numërohen si popullsi jo-aktive. Diskriminim vërehet në pagat me të cilat vlerësohet një burrë dhe një grua në vendin tonë, sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikave, me rrogë 30001-40000 denarë paguhen 32.7% femra dhe 67.3% meshkuj. Pagë mujore mbi 40 001 denarë marrin vetëm 22.4 % femra në vendin tonë, ndërsa pjesa tjetër janë meshkuj, pra 77.6 %.

Parimi se burrat dhe gratë duhet të marrin pagë të barabartë për punë të barabartë është ngulitur në Traktatet Evropiane që nga viti 1957, konkretisht me Nenin 157 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Neni 153 TFEU i mundëson BE-së të veprojë në fushën më të gjerë të mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë në çështjet e punësimit, dhe brenda kësaj kornize neni 157 TFEU autorizon veprime pozitive për të fuqizuar gratë. Për më tepër, neni 19 TFEU parashikon miratimin e legjislacionit për të luftuar të gjitha format e diskriminimit, përfshirë në bazë të seksit.

Argument tjetër se gratë në RMV nuk janë të përfaqësuar sa duhet, është edhe fakti se në asnjë Universitet brenda vendit, nuk ka rektor grua ndërkohë është i vogël numri i Institucioneve të Larta Akademike që edhe në pozitat e dekanes, pordekanes dhe drejtoreshave kanë të emëruar gra.

E megjithatë barazia gjinore është një betejë që zhvillohet edhe në vendet e rajonit, që është larg asaj që parashikon BE-ja, përfaqësimi i femrës çalon në shumë fusha dhe pikëpamje të jetës. Politika dhe postet vendim-marrëse është një ndër fushat kryesore ky përfaqësimi i femrës është mjaftë i zbehtë, shkruan Zhurnal.

Posaçërisht në Maqedoninë e Veriut integrimi i femrës në politikë është shumë proces i ngadalshëm edhe me shumë barriera që vështirë tejkalohen.

Në qeverisjen aktuale në Maqedoninë e Veriut të udhëhequr nga kryeministri Kovaçevski, gjithsej udhëheqës të ministrive, e zëvendës kryeministra kemi 17 meshkuj, ndërsa vetëm katër femra. Kjo dëshmon se ende pozita e gruas nuk është në nivelin e duhur të përfaqësimit, ndërsa meshkujt janë dominant në pozita udhëheqëse shtetërore.

Mendësia tradicionale dhe stereotipet gjinore lidhur me rolin që gratë duhet të kenë si përkujsdesëse për familjen dhe konsiderimi i tyre si jo të zonjat për pozicione drejtuese, është një nga pengesat që shoqëritë tonë vendosin përpara grave e vajzave.

Mjedisi politik në vendet tona, më një demokraci jo shumë të zhvilluar, agresiviteti e konfliktualiteti i politikës, i bën gratë dhe vajzat të stepen apo të mos angazhohen në politikë. Ashpërsia e luftës politike, gjuha e përdorur, etiketimet dhe konsiderimi i politikës si domen i burrave, ndikojnë shumë në vendimin për tu angazhuar ose jo në politikë për një grua. Angazhimet familjare, përkujdesja ndaj familjes, pritshëmritë që gratë duhet të përmbushin si gra, bashkëshorte, nëna, në fakt janë kaq të forta në shoqëritë tona, por në të njëjtën kohë kërkojnë shumë kohë e angazhim, e kjo pastaj përkthehet në diskriminim./Zhurnal.mk