Fëmijët kthehen në çerdhe, vazhdon greva në shkolla, rritja e rrogës për 12% nuk kënaqë

Shkup, 27 prill – Marrëveshja e arritur mes Qeverisë dhe kryesisë së Sindikatës për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) për rritjen e rrogave prej 12 për qind, nuk mori mbështetje nga anëtarët e SASHK-ut, për ç’shkak edhe sot vazhdon greva në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa sipas paralajmërimeve, do të zgjasë derisa nuk gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, Nga ana tjetër, SASHK-u vendosi që kopshtet të vazhdojnë me punë të rregullt.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkovski, dje pasi që kumtoi se anëtarësia nuk e pranoi propozimin për rritje të rrogave prej 12 për qind, deklaroi se Sindikata në shenjë pakënaqësie nga rezultatet e negociatave vendosi të organizojë protestë të madhe masive para Qeverisë, të mërkurën, më 4 maj 2022.

“Anëtarësia jonë gjatë ditës së sotme deklarohej sa i përket propozimeve. Prej gjithsej 480 organizatave sindikale të cilat dhanë të dhëna për deklarimin e tyre, 388 ishin për vazhdimin e grevës prej nesër, ndërsa vetëm 83 ishin për ndërprerje të grevës. Shumica e atyre që u deklaruan për ndërprerjen e grevës, janë organizatat sindikale nga mbrojtja fëmijërore, ndërsa pa përjashtime, shumica që ishin për vazhdimin e grevës janë kolegët të cilët janë të punësuar në arsimin fillor dhe të mesëm. Këshilli i SASHK-ut, duke pasur parasysh rezultatet e grumbulluara, mori vendim se greva në arsimin fillor dhe të mesëm vazhdon edhe gjatë ditës së nesërme deri në gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë”, theksoi dje Nedellkov.

Ai shtoi se Këshilli i SASHK-ut, në bazë të deklarimit të organizatave sindikale nga kopshtet e fëmijëve ka marrë vendim që në kopshtet greva të pezullohet.

Pra, pasi që SASHK-u kumtoi se ka arritur marrëveshje me Qeverinë, dje anëtarët e Sindikatës u tubuan para selisë së SASHK-ut për të protestuar. Pas pakënaqësisë së shprehur, Nedellkov i cilësoi si spekulime informatat se është nënshkruar marrëveshje me Qeverinë dhe se kryesia e Sindikatës ishte korruptuar.

“Një gjë është e qartë. Dje ishim në Qeveri dhe në deklaratë për mediumet treguam se biseduam dhe se mbetet që anëtarësia të deklarohet rreth propozimeve. për atë shkak, ende po mbahen takime dhe po shqyrtohet mendimi i anëtarësisë. edhe Sindikata me 50 plus një votë do të vendosë për pranim apo refuzim të ofertës. Dhe për atë shkak, të jeni të sigurt se pa kurfarë manipulimi, vendimet e anëtarësisë do të jenë publike dhe transparente”, deklaroi dje Nedellkov pas anëtarëve të tubuar të Sindikatës.

Greva në arsimin fillor dhe të mesëm dhe në kopshtet e fëmijëve filloi më 11 prill. SASHK-u tashmë për herë të dytë e refuzon propozimin qeveritar për rritje të rrogave, sepse ende nuk e kanë arritur atë që kanë kërkuar. Qeveria fillimisht propozoi rritje të rrogave prej 10 për qind, e më pas në 12 për qind, por SASHK-u kërkon rritje prej 18,4 për qind dhe harmonizim të rrogave të tjera me rrogën minimale dhe greva do të vazhdojë derisa nuk gjendet zgjidhje kompromisi për të dyja palët.

Pas vendimit të SASHK-ut, për të vazhduar greva, reagoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili theksoi se fjala e SASHK-ut nuk mbijetoi as 24 orë.

Ai në shkrimin e tij theksoi se vendimi i kryesisë sindikale i ndryshuar sot është në dëm të të rinjve tanë, nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerëson se deri më tani është humbur shumë mësim dhe kjo gjë duhet të ndalet. Hendeku i njohurive i krijuar nga kjo grevë duke bllokuar plotësisht punën e shkollave është mjaft i madh dhe nuk duhet të thellohet tashmë”, potencoi Shaqiri.

Ai u bëri thirrje drejtorëve të shkollave, si përgjegjës për organizimin e punës së këtyre institucioneve arsimore, prej sot t’i hapin dyert e shkollave dhe të vazhdojnë me organizimin e mësimit në përputhje me ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Ai gjithashtu iu bëri thirrje prindërve/kujdestarëve të nxënësve që nga nesër të vazhdojnë dërgimin/sjelljen e fëmijëve në shkollë. Ata janë më së paku fajtorë për humbjen e orëve për shkak të mungesës së seriozitetit të një organizate, por mund të ndihmojnë shumë në normalizimin e situatës.

“Le t’i japim fund këtij kapitulli të keq të këtij viti shkollor dhe t’u japim fëmijëve një të ardhme. Shumë prej tyre janë në pritje të regjistrimit në shkolla të mesme apo fakultete. Shumë kanë vendosur të punësohen pas mbarimit të shkollës së mesme, por është e pasigurt nëse diplomat do të jepen në kohë. Le të mos shkatërrojmë planet dhe pritjet e tyre. Të gjithë kemi përgjegjësi!”, përfundoi ministri Shaqiri.

Konfederata evropiane e sindikatave shprehi mbështetje për betejën për kushte më të mira të punës për punonjësit e arsimit në Maqedoni të Veriut.

Konfederata evropiane mu prej fillimit e mbështeti grevën e kuadrit mësimor në Maqedoni të Veriut. Nga atje konsiderojnë se greva është opsioni i fundit kur të dështojnë negociatat”, deklaroi drejtoresha e Konfederatës për Evropë, Suzan Floken, në fillim të grevës.

Në deklaratë të shkurtë dhe, Xhulian Skola, i angazhuar për marrëdhënie me mediumet në Konfederatë, tha se Konfederata evropiane e sindikatave e mbështesin qëndrimin e SASHK-ut, i cili shprehi “shqetësim për negociatat” me Qeverinë për rroga më të larta, duke pasur parasysh atë se “këto rroga janë më të ulëta se rroga mesatare nacionale”.

Sekretarja e përgjithshme e Konfederatës evropiane të sindikatave, Bernadet Segol, javën e ardhshme do të flasë përmes një video porosie në Kongresin e Konfederatës së sindikatave të lira (KSL).

“Plotësisht e mbështesim qëndrimin tuaj për negociata me Qeverinë për rroga më të larta dhe kushte më të mira për punë të mësimdhënësve në Maqedoni të Veriut”, është porosia që do t’ua dërgojë Segol sindikatave të vendit më 5 maj”, thanë për MIA-n nga Konfederata evropiane.