Fejsbuk dhe Instagram kanë hequr llogaritë e një organizate amerikane me ndikim anti-vakser

Kompania Meta, pronare e rrjeteve sociale Fejsbuk dhe Instagram, ka hequr nga këto platforma llogaritë e organizatës me ndikim amerikan antivakser “Mbrojtja e Shëndetit të Fëmijëve”, të udhëhequr nga Robert Kenedi Junior, nipi i presidentit të vrarë Xhon Kenedi.

Organizata kritikon sigurinë e vaksinave kundër Kovid-19. Meta ka njoftuar se po heq llogaritë për shkelje të përsëritura të politikave të saj në lidhje me Ckvid-19 dhe dezinformata.

Organizata akuzoi Metën se nuk respekton të drejtën e lirisë së fjalës.

“Fejsbuk po vepron këtu si një përfaqësues i kryqëzatës së qeverisë federale për të heshtur të gjitha kritikat ndaj politikave drakoniane të qeverisë,” tha Robert Kenedi Junior një figurë e shquar në qarqet amerikane anti-vakser.

Organizata e tij pretendon se ka qindra mijëra abonentë në dy profilet e saj në Fejsbuk dhe Instagram. Ajo u ndalua nga rrjeti Jujtub shtatorin e kaluar. Sipas organizatës së Kenedi Junior, ndalimi aktual i Metës mund të lidhet me një padi që ajo ka ngritur në gjykatën federale kundër kompanisë për censurë.