Fazliu: Kërkesa për zgjedhje të parakohshme më tepër duket si luftë për pushtet e jo luftë për BE

Shkup, 18 maj – Në Maqedoninë e Veriut do të ketë zgjedhje të parakohshme nëse në qershor nuk ka fillim të negociatave me BE-në. Kështu ditëve të fundit është shkruar në mediat maqedonase, duke u bazuar te “disa burime” të BDI-së. Ajo që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme sipas disa informatave, është bllokimi i Parlamentit nga opozita dhe mungesa e perspektivës evropiane, transmeton Zhurnal.

Nga Alternativa shpresojnë për rezultate pozitive në qershor, duke sqaruar se nuk do të donin të mendojnë se dikush gëzohet për rezultatin negativ nga pritja e tyre.

“Ne nuk kemi informata të tilla dhe në fakt nuk e shohim të arsyeshme shpalljen e zgjedhjeve. Nëse ne jemi të bindur se me shumicë të re qeveritare fitohet datë për negociata, me shumë kënaqësi do të pranonim një gjë të tillë. Ne ende shpresojmë për përgjigje pozitive në këtë proces dhe nuk duam të mendojmë se dikush gëzohet për rezultatin negativ nga pritja jonë”, thotë Faton Fazliu nga Alternativa në një bisedë me Lokalno.

Fazliu shton se nuk duhet të meret seriozisht spekulimi nga burime të BDI-së se nëse dështon marja e datës në qershor, do të kemi zgjedhje të parakohshme.

“Nëse gjykojmë sipas të kaluarës, me kryeministrin shqiptar ose me agjendën e gjelbër, nuk mendojmë se duhet aq seriozisht të kuptohen këto spekulime”, thotë ai.

Fazliu është i mendimit se arsyeja nuk është kjo shumicë dhe kjo Qeveri për mos hapjen e negociatave.

“Të supozojmë për moment se është ashtu, edhe pse Qeveri më euroatlantike se kjo nuk ka patur në RMV, por kur e dimë se çelsi i këtyre negociatave nuk është në Shkup, kërkesa për ndryshim të pushtetit si duket më tepër është luftë për pushtet se sa luftë për BE”, thotë ai.

Sipas tij, vendi ynë ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim dhe jo shkaktues të krizave ashtu siç po ndodhë me VMRO-DPMNE-në./Zhurnal.mk