Familja e George Floyd thuhet se po shqyrton një padi për komentet e Kanye West
Familja e George Floyd thuhet se po shqyrton një padi kundër reperitt Kanye West, pasi ky i fundit gjatë një interviste bëri komente nxitëse për vdekjen e Floyd.
Në maj të vitit 2020, Floyd një burrë afro-amerikan që në atë kohë jetonte në Minneapolis u vra pas një grindjeje me një oficer policie të bardhë, shkruan NME.
Të shfaqura menjëherë pas vdekjes së tij, pamjet shqetësuese treguan Floyd duke u frenuar në një trotuar nga oficeri Derek Chauvin, i cili vendosi gjurin në qafën e tij për më shumë se nëntë minuta.
Pavarësisht lutjeve të vazhdueshme të Floyd se ai nuk mund të merrte frymë, Chauvin vazhdoi të ushtronte presion në qafë, ndërsa mungesa e oksigjenit shkaktoi dëmtim të trurit, dështim të zemrës dhe përfundimisht vdekjen e tij.
Në prill të vitit 2021, Chauvin u shpall fajtor për vrasjen e Floyd dhe ai u dënua me 21 vjet burg.
Tani, në një paraqitje të re në podcastin “Drink Champs”, West pretendoi se Floyd vdiq nga “fentanili” dhe tha se gjuri i Chauvin “nuk ishte as në qafën e tij, teksa vazhdoi të krahasonte viktimën me stilistin Virgil Abloh, i cili vdiq nga kanceri nëntorin e kaluar.
Siç pritej, komentet kanë nxitur polemika të konsiderueshme.
Sipas Lee Merritt – një avokat i të drejtave civile dhe organizator i komunitetit me qendër në Dallas, Teksas, familja e Floyd “po shqyrton një padi për deklaratat e rreme të Kanye në lidhje me mënyrën e vdekjes së tij”.
“Pretendimi që Floyd vdiq nga fentanili dhe jo brutaliteti i vendosur në mënyrë kriminale dhe civile, minon dhe pakëson luftën e familjes Floyd”, ka thënë Merritt.
Vitin e kaluar, një mjek me reputacion i tha gjykatës se Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit, jo nga prania e fentanilit në sistemin e tij.