Fajon: Mbështesin RMV-në për t’u bërë anëtare e BE-së më së voni në vitin 2030

Shkup, 18 tetor – Shefja e diplomacisë sllovene Tanja Fajon sot nga Shkupi me urime për Qeverinë dhe qytetarët e Maqedonisë për, siç tha ajo, suksesin historik me hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim në Union. “Jam e vetëdijshme se kjo ishte një rrugë e dhimbshme dhe e vështirë, prandaj i mbetet Maqedonisë së Veriut të bëjë gjithçka për njerëzit, të fillohet ky proces i vështirë i reformave. Mbështes që vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota deri në vitin 2030, një synim realist nëse të gjithë qytetarët janë në këtë rrugë. Ne do t’ju mbështesim, është e rëndësishme të jeni koshient se negociatat për anëtarësim kanë filluar”, tha Fajon sot në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Fajon tha se do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme me qëllim që vendi të vazhdojë në këtë rrugë pa pengesa dhe në të njëjtën kohë të mos rrezikohet gjuha maqedonase.

“Një dëshmi e këtillë është nënshkrimi i fundit i marrëveshjes me FRONTEKS-in, ku gjuha maqedonase shumë qartë do të jetë gjuhë prioritare. Po të bëj një krahasim, kemi pasur edhe ne përvoja të dhimbshme, është dashur të bëjmë role të vështira kompromisi, por ia kemi arritur qëllimit. Do të duhet shumë përpjekje, sigurisht që në Raport thuhet qartë se cilat janë pikat problematike ku duhet të përqendrohemi më shumë”, theksoi ajo.

Fajon shtoi se më shumë se 40 për qind e legjislacionit të vendit është në përputhje me legjislacionin evropian, gjë që tregon se Maqedonia e Veriut do të jetë e suksesshme në atë rrugë.

Osmani theksoi se takimi me Fajon do të sjellë dinamikë të re dhe përmbajtje të re në marrëdhëniet dhe interesat e qytetarëve të të dyja vendeve dhe shtoi se integrimet evropiane ishin një nga temat e bisedës.

“Një nga temat e bisedës ishte fillimi i integrimit tonë evropian. Më në fund kemi hyrë në fazën e fundit para anëtarësimit, që është fillimi i negociatave. Komisioni Evropian në Raport, i vlerësoi negociatat si moment historik dhe këtu do të jetë veçanërisht e rëndësishme përvoja dhe mbështetja sllovene në procesin tonë negociues” theksoi ministri Osmani në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp.

Ai informoi se në takim është diskutuar për fillimin e skriningut, rezultatet e Raportit të KE-së dhe tejkalimin e çështjeve politike.

“Kemi biseduar edhe se si mund të na ndihmojë Sllovenia, po ashtu kam kërkuar edhe mbështetje gjatë gjithë procesit të negociatave për t’u përqendruar në reforma, ndërsa Sllovenia gjithmonë ka një qëndrim të qartë për këtë çështje, se ky proces duhet të bazohet në parimet dhe vlerat evropiane”, shtoi Osmani.

Dy bashkëbiseduesit gjatë takimit kanë diskutuar edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si partner i rëndësishëm që kontribuon, veçanërisht në këto momente të rëndësishme të ngjarjeve të luftës në Ukrainë.

“Në pjesën e bashkëpunimit dypalësh kishim shumë bisedime. Trendet e shkëmbimit tregtar janë pozitivë. Vendosëm qëllim, ndërsa ai është 500 milionë euro shkëmbim tregtar në nivel vjetor me Slloveninë. Aktivizimi i klubit të biznesit mes kompanive sllovene dhe kompanive tona do të jetë nxitje shtesë”, tha Osmani dhe shtoi se përfaqëson kënaqësi të veçantë që kompanitë në Maqedoninë e Veriut kontribuojnë me 30 milionë euro investime.

Dy shefat e diplomacisë kanë folur edhe për kryesimin me OSBE-në të Republikës së Maqedonisë së Veriut, rreth përgatitjeve dhe prioriteteve në këto momente historike.

“Në pjesën e mbështetjes në marrëdhëniet shumëpalëshe kemi traditë të mirë të mbështetjes së ndërsjellë në forma të ndryshme”, shtoi ministri Osmani dhe përfundoi se takimi ishte i frytshëm dhe i suksesshëm, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

“E gjithë Evropa është e prekur nga lufta në Ukrainë, të gjitha vendet duhet të solidarizohen. Ashtu siç është e vështirë për popullin maqedonas të përballet me çmimet e larta, nëse do të ketë një shtëpi të ngrohtë dhe nëse do të mund të blejë ushqim, po ashtu është edhe për popullin slloven. Pjesë e procesit evropian është solidariteti. KE-ja do të marrë një vendim dhe do të ndihmojë, ndërsa një pjesë e ndihmës do të jetë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Fajon.

Sa i përket marrëdhënieve shumëpalëshe, tha se ka mbështetje të madhe, sepse për shkak të luftës synojnë ta ruajnë paqen dhe sigurinë, që të mos rrezikohet e drejta dhe paqja ndërkombëtare. Shtoi se qëndrimet janë identike dhe Maqedonia e Veriut shkëlqyeshëm i përshtati sanksionet dhe dënimin e luftës në Ukrainë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon theksoi se me rëndësi të madhe janë marrëdhëniet mes dy shteteve, duke i përshkruar si shumë të mira dhe miqësore.

“Këtë vit festojmë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Republika e Maqedonisë së Veriut është destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm për investime dhe ka investime të huaja veçanërisht të rëndësishme”, tha Fajon.