Eurostat: Edhe kafeja po shtrenjtohet, rituali i përditshëm i mëngjesit po bëhet luks

Një filxhan kafe, rutina e përditshme me të cilën shumica e nisin ditën, qytetarëve të Maqedonisë u kushton 18,3 për qind më shumë se një vit më parë. Qytetarët e BE-së, nga ana tjetër, pinë kafe më shtrenjtë për 16,9 për qind, tregojnë të dhënat e Eurostat-it për muajin gusht të vitit 2022, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Për ata që e pinë kafenë me qumësht ose sheqer, ky ritual i mëngjesit mund të jetë edhe më i shtrenjtë dhe të bëhet luks, pasi çmimet e këtyre artikujve janë rritur edhe më shumë gjatë vitit të kaluar. Çmimi i qumështit të freskët në Maqedoninë e Veriut është rritur për 29 për qind, ndërsa ai i sheqerit për 58 për qind.

Në vendet e BE-së, qumështi u rrit mesatarisht për 24,3 për qind, ndërsa sheqeri për 33,4 për qind, më së shumti në Poloni për 109,2 për qind.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, çmimet e kafesë, qumështit dhe sheqerit janë rritur në të gjitha vendet anëtare të BE-së, përveç në Maltë.

Kafeja më shumë është shtrenjtuar në Finlandë (43,6%), në Lituani (39,9%) dhe në Suedi (36,7%).

Qumështi në Lituani (58,2%), në Kroaci (41,2%) dhe në Estoni (38,9%).

Sheqeri, nga ana tjetër, është bërë më i shtrenjtë vitin e kaluar në Poloni (109.2%), në Estoni (81,2%) Letoni (58,3%) dhe Bullgari (44,9%).