Euro është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit, rritet frika nga recesioni

Aksionet aziatike sot kanë rënë për të gjashtën seancë radhazi, pas rritjes së re të çmimeve të energjisë elektrike në Evropë. Rritja e çmimeve e ka nxitur frikën e recesionit dhe i ka rrit të ardhurat e fletëobligacioneve, ndërsa monedha evropiane – euro, ka rënë në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit.

Çmimet referente të gazit në Bashkimin Evropian janë rritur 13 për qind brenda natës në nivel të ri rekord të lartë, pasi u dyfishuan për vetëm një muaj dhe kanë arritur 14 herë më shumë se mesatarja gjatë dekadës së fundit.

Analistët e Bankës amerikane Siti paralajmëruan dje se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar mund të tejkalojë 18 për qind nëse nuk kufizohen çmimet e energjisë, që është për nëntë herë më shumë se objektivi i Bankës së Anglisë. Inflacioni i çmimeve të konsumit për herë të fundit e ka arritur këtë nivel në vitin 1976.

Analistët konsiderojnë se “situata e vështirë energjetike” sugjeron se kulmi i inflacionit nuk është arritur ende, me një mundësi të madhe që inflacioni të mbetet i lartë për disa kohë nëse nuk ka reagim nga bankat qendrore.

Euroja ka arritur dje nivelin më të ulët ndaj dollarit në njëzet vitet e fundit dhe ka rënë nën nivelin e barazisë. Një euro kushtonte 0,9937 dollarë.

Mbyllja e paralajmëruar e mirëmbajtjes së gazsjellësit Rrjedha veriore 1 nga 31 gushti deri më 2 shtator e ka rritur ndjeshëm frikën nga mungesat dhe ka sjellë deri në rritje të madhe të çmimit të gazit në Evropë.