Eslami: Irani mund të bëjë bombë atomike, por nuk do ta bëjë

Irani ka kapacitete teknike për të bërë një bombë atomike, por nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, deklaroi sot kreu i Agjencisë Iraniane për Energji Bërthamore, Mohamad Eslami.

Siç njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve iraniane Fars, Eslami në këtë mënyrë përsëriti  komentet e fundit të Kamal Harazit, një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ali Hamnei.

Mediat britanike raportojnë se Irani tashmë po pasuron uraniumin në një nivel prej 60 për qind pastërti, që është shumë mbi kufirin e vendosur më parë prej 3.67 për qind të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 me fuqitë botërore.

Për të krijuar një bombë bërthamore, uraniumi duhet pasuruar deri në 90 për qind pastërti.

Në vitin 2018, ish-presidenti amerikan Donald Tramp tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja bërthamore dhe rivendosi menjëherë sanksionet ndaj Iranit.

Negociatori kryesor bërthamor i Iranit, Ali Bageri Kani, deklaroi dje se vendi i tij dëshiron sa më shpejtë që është e mundur të përfundojnë negociatat për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive të mëdha botërore.