Erdoğan: Turqia pret që Suedia të ndërmarrë hapa seriozë kundër organizatave terroriste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson.

Në një deklaratë nga Drejtoria e komunikimeve të Presidencës thuhet se në bisedë u diskutua për marrëdhëniet e dy vendeve dhe aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Erdoğan në bisedë vuri në dukje se Turqia deri më tani ka mbështetur gjithmonë politikën e NATO-s me dyer të hapura dhe se solidariteti është një vlerë themelore brenda aleancës si për sigurinë e vendeve anëtare ashtu edhe në aspektin e sigurisë kolektive.

“Turqia ka shprehur prej një kohe të gjatë pakënaqësinë e saj nga kontaktet e Suedisë me individë dhe të ashtuquajtura institucione nën kontrollin e organizatës terroriste PKK/YPG/PYD”, ka deklaruar Erdoğan, duke tërhequr vëmendjen se organizata terroriste FETO vazhdon praninë dhe aktivitetet e saj në Suedi.

Erdoğan potencoi se Suedia duhet t‘i japë fund mbështetjes së saj politike, financiare dhe të armëve për organizatat terroriste.

“Pretendimi se PKK/PYD/YPG lufton me DEASH-in nuk reflekton të vërtetën”, tha Erdoğan duke thënë se presin që Suedia të ndërmarrë hapa konkretë dhe seriozë që tregojnë se ndajnë shqetësimet e Turqisë në aspektin e organizatës terroriste PKK dhe degët e kësaj organizate në Siri dhe Irak.

Gjithashtu, presidenti Erdoğan tha se duhet të hiqen edhe kufizimet që Suedia zbaton ndaj Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes pas operacionit “Burimi i Paqes” për të cilin ata u detyruan ta kryenin për shkak të kërcënimit terrorist nga Siria drejt Turqisë.