Erdogan padit politikanin gjerman pasi ky e quajti ‘mi kanalesh’

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka paditur nënkryetarin e parlamentit gjerman për fyerje dhe shpifje pasi ky i fundit e krahasoi atë me një mi kanalesh.

Wolfgang Kubicki, një politikan i lartë gjerman , gjatë fjalimit të tij të dielën e kaluar e akuzoi presidentin turk për përdorimin e çështjes së refugjatëve si një mjet për të ushtruar presion politik mbi Evropën dhe i vendosi edhe këtë epitet.

Politikani gjerman më vonë u përpoq të rregullonte gabimin e bërë por duket se nuk e ka bindur palën tjetër, pasi ambasadori gjerman në Ankara është thirrur në Ministrinë e Jashtme turke për të dhënë shpjegime.

Në padinë e ngritur, avokati i presidentit turk , Mustafa Kaplan , thekson, sipas revistës Der Spiegel, se termi “mi kanalesh” i referohet një personi që konsiderohet i degraduar moralisht dhe i neveritshëm dhe argumenton se këtu nuk bëhet fjalë për kritika por për shpifje. Avokati turk thekson gjithashtu se politikani gjerman është vetë avokat dhe se e di shumë mirë se çfarë përbën shkelje dhe jo .

Fyerja e presidentit përbën një vepër penale në Turqi ku Erdogan dhe Partia e tij kanë mbajtur pushtetin për dy dekada.