Emri “Lionel” pushton Argjentinën
Ishte e pritshme dhe e pashmangshme, por tanimë e konfirmojnë edhe statistikat. Ngadhënjimi i Argjentinës në Botërorin e fundvitit të shkuar në Katar ka qenë padyshim një ngjarje fenomenale për vendin amerikanolatin.
Një ngjarje që do të mbetet e skalitur edhe në të ardhmen, sikundër e dëshmojnë edhe të dhënat më të fundit që kanë dalë në dritë.
Kështu, vetëm sipas Regjistrit të Gjendjes Civile në Provincën e Santa Fesë, një në 70 fëmijët e lindur në dhjetor të 2022-shit kishin emrin “Lionel” ose “Lionela”, për shkak të kapitenit të përfaqësueses bardhekaltër, Lionel Mesi.
Kjo nënkupton një rritje me plot 700 % sa i përket zgjedhjes së këtyre emrave për të porsalindurit, teksa deri në shtator, këta dy emra ishin përzgjedhur për vetëm 6 fëmijë të porsalindur. Ky numër u rrit në 49 brenda vetëm 30 ditëve në dhjetori.
Përveç kësaj, Drejtori i Regjistrit të Gjendjes Civile në Provincën e Santa Fesë, Mariano Galvez, deklaroi për një program televiziv në një kanal rajonal se “gjatë këtyre javëve të fundit, ka patur të porsalindur që janë regjistruar me emrat e lojtarëve të tjerë të përfaqësueses së Argjentinës, siç ishin Hulian apo Emiliano, por”, – shtoi ai, “emri më i pëlqyer ka qenë “Lionel”.