EDITORIAL / “Referendumi”, I di Xhaferi punët e veta!
Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 11 tetor – Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ende nuk e ka pranuar zyrtarisht kërkesën për të zhvilluar referendum që është iniciuar nga partia “e Majta”, andaj nuk ka ndonjë koment se si do të veprojë kësaj radhe. Por, kryetari i Kuvendit me eksperiencën e tij, pasjen në konsideratë të zhvillimeve politike në vend, në rajon dhe më gjerë si dhe duke respektuar ligjet dhe kushtetutën e shtetit, do të dijë edhe një herë se si të shmangë provokimet e ulëta nga opozita ultra-nacionaliste. Thënë troç, kryetari Xhaferi i di mirë punët e veta, dhe s’ka nevojë për panik se si e çka do të bëhet me këtë iniciativë për referendum!
Apasiev provokon sërish!
Më 7 tetor të këtij viti, kryetari i partisë “e Majta”, Dimitar Apasiev, në arkivin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e referendumit të detyrueshëm në nivel shtetëror, në të cilin, nëse mbahet, qytetarët duhet të vendosin nëse janë “për” apo “ kundër” konkluzioneve të propozimit francez që legjislatura i miratoi më 16 korrik të këtij viti. Sipas tij, me pyetjen e formuluar në këtë mënyrë, praktikisht është e pamundur që zyrtarisht dhe ligjërisht të refuzohet nisma. Nisma e të Majtës për referendumin u dorëzua me 750 firma të mbledhura.
Pyetja e formuluar: “A jeni për vazhdimin e negociatave me BE-në duke pranuar konkluzionet parlamentare të 16 korrikut 2022?”, sipas Apasievit praktikisht është e pamundur të refuzohet zyrtarisht dhe juridikisht nisma.
Kuvendi do shqyrtojë procedurat
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi më herët ka refuzuar iniciativën e VMRO-DPMNE-së për shpalljen e referendumit të detyrueshëm për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë me arsyetimin se është në kundërshtim me nenin 118 dhe nenin 8 (paragrafi 1, paragrafi 11) të Kushtetutës. d.m.th se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ratifikohen në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.
Sipas Rregullores së Kuvendit, pas marrjes së iniciativës, Kryetari i Kuvendit ia përcjell menjëherë Komisionit Legjislativ dhe Ligjor dhe Komisionit të Sistemit Politik. Brenda dy ditësh, këto dy trupa punues duhet të vlerësojnë nëse nisma është në rregull.
Nëse nisma është në rregull, krye parlamentari duhet të njoftojë kërkuesin brenda 3 ditëve për të filluar mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve të qytetarëve. Nëse dokumenti, sipas komisioneve, nuk është në rregull, atëherë Xhaferi është i obliguar që iniciativën ta vendosë në rendin e ditës të seancës së parë pasuese dhe më pas plenumi të nxjerrë konkluzionin.
Nëse nisma kalon filtrin parlamentar, dispozitat ligjore parashikojnë që brenda tre muajve të mblidhen 150 mijë firma qytetare në njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë.
Si do të veprojë kryetari i Kuvendit!
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në momentin kur e refuzoi iniciativën e VMRO DPMNE-së me të drejtë pohoi se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe pikërisht për këtë arsye opozita nuk kishte se çfarë të bënte. Nga ana tjetër, kryetari i së “majtës” Aparisev, që është profesor i juridikut dhe e konsideron veten se kësaj radhe nuk ka asnjë lëshim juridik, e ka hedhur topin te Xhaferi duke pritur se procedura duhet të aprovohet.
Deri më tani, kryetari i Kuvendit ka qenë i heshtur dhe në pritje të shohë saktësisht se si do të duket kjo iniciativë dhe pastaj do të dalë me konkluzion se çfarë do të veprohet në të ardhmen. Në momentin kur e hodhi poshtë kërkesën e VMRO DPMNE-së, Xhaferi kishte deklaruar se çdo iniciativë që do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën, ai do të jetë i detyruar ta procedojë më tutje në Kuvend. Andaj, nëse gjithçka është në rregull me ligjin, kryetari Xhaferi nuk mund të rrezikojë kredibilitetin dhe statusin e tij personal, e të bëjë vepër penale, duke mos lejuar që kjo iniciativë te procesohet. Por, nëse sërish Komisionet dhe trupat e kuvendit përgjegjës për shqyrtimin e këtyre iniciativave, gjejnë parregullsi, atëherë me plot të drejtë kryetari i Kuvendit mund ta hedhë poshtë një iniciativë të tillë.
Iniciativën duhet ta refuzojë edhe opozita maqedonase
Nëse iniciativa procesuohet më tutje, atëherë “e Majta” duhet të mbledhë 150 mijë nënshkrime, e këtu pastaj do të dalin në skenë lojërat tjera politike. VMRO DPMNE në këtë rast duhet të tregohet e mençur, dhe mos të përkrahë këtë iniciativë, që do të thotë të mos mblidhen 150 mijë nënshkrime sepse në të kundërtën do të poshtërsohet vet për iniciativën e tyre me të cilën dështuan, ndërsa te votuesit maqedonas, do të dalë se “e Majta” është më e suksesshme se partia e Mickoskit, dhe trupi i madh votues i kësaj partie do të orientohet drejt Apasievit.
Pastaj, opozita maqedonase duhet ta mendojë dy herë, çfarë do të ndodhë nëse e lejojnë që të fitojë Apasievi! Nëse tani ndodhë me referendum që ai të ndalojë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, atëherë referendume të tilla do të në përsëriten shpesh në të ardhmen.
Krejt në fund, s’ka asgjë nga ky referendum i “së Majtës” sepse do të duhet të mblidhen mbi 900 mijë vota që referendumi në fund të dalë i suksesshëm, e që kjo vështirë të ndodhë, por nëse fillon proces për referendum, atëherë shteti e populli do të humbin, mjete financiare dhe kohë të çmuar në rrugën drejt integrimeve.