Editorial: Për donatorët e partive shumë lehtë po gjenden miliona, për komunën e Likovës kurrsesi!

Shkup, 29 gusht – Maqedonia e Veriut, veçanërisht shqiptarët e këtushëm, po jetojnë dy realitete të ndryshme. Poetët dhe shkrimtarët këtë situatë do ta përshkruanin me dy fjalë: “Përballë shkëlqimit, qëndron mjerimi!”
Në njërën anë kemi luksin dhe shkëlqimin në të cilin janë zhytur politikanët, kurse në anën tjetër kemi mjerimin në të cilin jetojnë qytetarët e përballur me dy mundësi – të jetojnë në kushte të vështira në vendlindje, ose të ikin në perëndim. Cilën do mundësi që ta zgjedhin është e vështirë, e dhimbshme dhe me pasoja.

“Përballë shkëlqimit qëndron mjerimi”

Komuna e Likovës është një shembull tipik që pasqyron frazën “Përballë shkëlqimit, qëndron mjerimi”. Kjo komunë ishte një vatër e luftës së vitit 2001, kur u përball me granatime, shkatërrime dhe viktima. Komuna e Likovës dhe banorët e saj dolën faqebardhë nga ky konflikt, por sakrifica e tyre shpejtë u harrua. Sot fshatrat e kësaj komune ende nuk kanë ujë të pijshëm edhe pse kaë dy liqene artificiale prej ku furnizohet e gjithë Kumanova deri në Kriva Pallankë dhe në Kratovë. Infrastruktura është përmirësuar pak, por len ende shumë për të dëshiruar, shkruan Zhurnal. Deponia ku hidhen mbeturinat rrezikon shëndetin e banorëve, por edhe kalimtarët që kalojnë me vetur rrugën e vjetër Shkup-Kumanovë.

Bukuritë natyrore dhe potenciali ekonomik i kësaj komune shumë pak është i shfrytëzuar, për shkak të mungesës së investimeve. Ekziston vullnet i madh për të investuar në këtë komunë që dikur kishte 30 mijë e sot ka rënë në 20 mijë banorë, por disi punët çdo herë ngatërrohen. Mungojnë investimet. Duhet të rrotullohet gjithë shteti përmbys, për të gjetur 50 mijë ose 100 mijë euro për të punuar diçka në komunën e Likovës. Edhe atëherë kur parashihen në buxhet mjete për këtë komunë, ato i “han” rebalanci i parë i buxhetit. Me një fjalë, shumë “këmbën e rëndë” kjo komunë kur bëhet fjalë për shfrytëzimin e mjeteve buxhetore në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve të saj.

Por banorët e saj nuk duhet ta humbin shpresën. Nëse nuk ka investime e realizime, atëherë ka mjaft premtime. Asnjë komune nuk I jepen më shumë premtime se komunës së Likovës, kështu që nuk duhet parë vetëm anën negative, por duhet shikuar edhe anën negative.

E mira kthehet me të mirë: Dhuruan 70 mijë euro për BDI-në, fituan tender 1.8 milionë euro

Shakanë anash, komuna e Likovës është shembull eklatant, por nuk është shembull i vetëm i lënies pas dore nga ana e shtetit dhe pushtetit. E deri sa për këtë komunë dhe komuna tjera vështië po sigurohen mjete për projektet jetike për qytetarët, shumë më lehtë po u ecën kompanive që janë donatore të partive politike. Në rastin e këtyre kompanive nuk është dilema nëse do të ketë miliona, por dilema është se sa miliona do të ketë. (Kuptohet miliona euro, se miliona denarët i kanë vetëm për me pi kafe dhe Red Bulla).

Një kompani e sukseshme që fiton tenderë është edhe kompania ndërtimore “Eurovia dooel” nga Zhelina e Tetovës, e cila për 1.8 milionë do ta adaptojë Qendrën sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e Këshillit Ministror të OSBE-së, vitin e kaluar ishte donatori më i madh i BDI-së në pushtet, shkruan A1ON, transmeton Zhurnal. Eurovia fitoi tenderin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e përfundoi kontratën më 21 gusht pasi ofroi çmimin më të ulët deri tani më të ulët ndonjëherë dhe një kriter të vetëm.

Tenderi është në vlerë prej 1.8 milionë euro, ndërsa tenderi është “Prokurimi i punimeve për përshtatje të brendshme dhe rregullim të jashtëm të Qendrës sportive “Boris Trajkovski” në funksion të mbajtjes së Konferencës së Këshillit të Ministrave në kuadër të kryesisë. të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, në dhjetor 2023”.
Për tender aplikuan gjithsej katër kompani. Oferta më e lartë ishte 25.909.710 denarë, ndërsa më e ulëta 11.307.570 denarë.

Është zgjedhur “Eurovia”, kompania që ishte donatori më i madh i BDI-së vitin e kaluar. Është në pronësi të Elmedin Ademit, nipit të ish-ministrit të BDI-së. Kompania ka dhuruar 1,85 milionë denarë si person juridik, ndërsa donacioni i Elmedinit si person fizik ka qenë pak më shumë se 2,5 milionë denarë. Ata kanë tejkaluar limitet që i parasheh ligji, por ja që “dora që jep nuk shteret”. E mira u është kthyer me të mirë- kanë dhënë 70 mijë euro për BDI-në, kanë fituar tender 1.8 milionë euro për OSBE-në.

Më herët “Eurovia” ka fituar tenderin prej dy milionë eurosh për ndërtimin e një objekti të ri në komisariatin e Aeroportit, si dhe tenderin për rikonstruksionin dhe ndërrimin e objekteve për Universitetin “Nënë Tereza”.
Dhënia e këtij tenderi është arsyetuar se Maqedonia e Veriut do të bëjë organizimin me koston më të ulët të një evenimenti aq të madh në 10 vitet e fundit, mirëpo ky arsyetim nuk është bazuar me ndonjë të dhënë konkrete.

E banorëve të Likovës nuk u mbetet gjë tjetër përveç se të marin kalkulatorët dhe të bëjnë “hesap” se çka do mund të ndërtohej në komunën e tyre me 1.8 milionë euro. Dhe të ëndërrojnë se do të vijë një ditë kur edhe ata fo të shohin të mirat e investimeve miliona euroshe. Këtë duhet ta bëjnë edhe banorë të komunave tjera që jetojnë në kushte të ngjashme me ato të banorëve të Likovës. /Zhurnal