Editorial: Ndryshimet kushtetuese, temë shumë e nxehtë që do të presë freskinë e shtatorit, me shpresë se nuk do të “ngrijnë” nga ftohti i dhjetorit?!
Shkup, 21 gusht – Pas mbajtjes së seancës për konstatimin e nevojës për ndryshime kushtetuese, në të cilën përfundoi vetëm diskutimi i përgjithshëm, në Kuvend, sipas informacioneve të publikuara në ueb faqen zyrtare, nuk janë caktuar seanca tjera të trupave punues apo seanca plenare. Sot janë mbajtur vetëm dy konferenca për media, ajo e grupeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ndërpreu punën e seancës për ndryshimet kushtetuese pas shterjes së diskutimit, por nuk e hodhi në votim propozimin edhe pse paraprakisht koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski i kishte kërkuar që pika të votohet, për t’u parë se nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për të hapur Kushtetutën, e lëre më për të bë ndryshimin e saj.
“Kontstatoj se debati ka përfunduar. Po e ndërpres punën me këtë seancë, kurse për vazhdimin e saj do të njoftoheni më tutje” – tha kryeparlamentareu Xhaferi të premten duke e ndërprerë seancën e 120-të dhe duke e refuzuar kërkesën e Micevskit.
Edhe pas pushimit, deputetët sërish në pushim!
Nga zyra e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi thonë se ai është në punë dhe se realizon takime në kuadër të ingerencave që burojnë nga posti të cilin e mban.
Në koordinimin e mbajtur më 17 gusht, u ra dakord që aktivitetet dhe mbajtja e seancave të komisioneve dhe trupave punuese të vazhdojnë edhe në javën e fundit të gushtit. Kurse seanca e parë plenare e radhës, sipas informacioneve të Xhaferit, do të caktohet për 5 shtator, shkruan Zhurnal.
LSDM-ja shpreson se në periudhën e ardhshme, përmes dialogut, do të arrijë të bindë deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Në rast se kjo ndodh, ata thonë se do ta mbajnë premtimin që menjëherë të lëshojnë pushtetin dhe të pranojnë zgjedhje të parakohshme. Sipas LSDM-ja Xhaferi nuk e ka shkelur rregulloren gjatë seancës së të premtes.
“Ditën kur në Kuvend do të votohen ndryshimet kushtetuese, tani, në shtator ose në tetor, ne një ditë më pas me deponimin e dorëheqjen e Kovaçevskit mund të shkojmë në zgjedhje. Me bisedime dhe me hapjen e të gjithë temave që për momentin nuk i kanë plotësisht të qarta, me elaborimin e qëndrimit partiak na jep shans për të menduar se ka hapësirë që të bisedohet me këtë grup parlamentar të VMRO-DPMNE-së. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi kur u shter lista e fjalimeve, si shumë herë deri tani, kur krijohen kushte për të votuar atëherë informohemi, pikërisht këtë e tha edhe këtë herë. Ata thirren në rregullore dhe unë ju siguroj se kryetari Xhaferi veproi në përputhje me kompetencat dhe Rregulloren,” tha deputeti Martin Kostovski nga LSDM.
Deputetët zyrtarisht kishin nisur pushimet vjetore pas Ilindenit, kurse janë kthyer në punë vetëm për seancën e caktuar për 18 gusht, e cila i referohej ndryshimeve kushtetuese.
Mirëpo, si duket temperaturat në Shkup ende janë të larta dhe do duhet të pritet freskia e shtatorit, me shpresë se do të hapen ndryshimet kushtetuese, kurse freskia e tetorit me shpresën se ndryshimet do të kalojnë dhe se do të vazhdojmë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në rast se na kapin ngricat e fund nëntorit, ose e dhjetorit, atëherë fati i bisedimeve bëhet më i panjohur. Në situatë të tillë, gjasat për fillim të negociatave dhe për anëtarësim të shpejtë mund të ngrihen si akullnajat e Arktikut dhe të mos i shkrijë as ngrohja globale në afat prej 10 ose 15 viteve.
Ska seancë të re, pa i siguruar 80 deputetë?
Ndërkohë meret vesh se Talat Xhaferi nuk do të caktojë vazhdimin e seancës kuvendore, derisa shumica qeverisëse të sigurohet se i ka 80 deputetët e nevojshëm për të votuar për hapjen e Kushtetutës. Ky qëndrim ka revoltuar VMRO-DPMNE-në opozitare. Sipas opozitës, Xhaferi këtë e bën duke interpretuar nenet e përgjithshme të Rregullores së Kuvendit, e jo kapitullin e veçantë të Rregullores që ka të bëjë vetëm me çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën, shkruan Zhurnal.
Në këtë mënyrë procedura mund të zgjasë me muaj, teorikisht edhe deri në përfundimin e mandatit të këtyre deputetëve, por me rrezik të madh që nëse deri atëherë nuk miratohen amendamentet, të anulohet e gjithë procedura për ndryshimin e Kushtetutës në momentin kur të shpërbëhet Kuvendi.
Vendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse shumica e kërkuar nuk është e pranishme, procedura nuk mund të vazhdojë.
Amendamentet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë janë kusht që vendi të fillojë fazën e dytë të negociatave me Bashkimin Evropian dhe ato rezultuan nga propozimi francez për heqjen e vetos bullgare, në të cilën protokolli dypalësh me Bullgarinë ishte futur në kornizën e negociatave./Zhurnal