EDITORIAL / Mjekët mos të shihen me inat!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 5 shtator – Mjekët amë apo ndryshe të quajtur si mjekët familjarë kanë vendosur që të futen në grevë tre ditore duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, e ku ndër kryesorja është rritja e pagesës bazë që shteti duhet të bëjë për çdo pacient. Të gjendur në krizë të rëndë, mjekët u detyruan të dalin në grevë paralajmëruese, e cila mund të përshkallëzohet nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre. Sa është e drejtë kjo grevë dhe a kanë të drejtë mjekët. Në këtë krizë të shtrenjtimit të gjithçkaje, mjekët janë lënë në harrës e shteti duhet të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë!

Deri të mërkurën grevë nga mjekët familjarë

Nga dita e sotme e deri të mërkurën, mjekët e familjes nuk do të bëjnë referime dhe nuk do të shkruajnë receta për pacientët në kuadër të protestës së tyre. Do të pranohen vetëm rastet urgjente, ndërsa të sëmurëve kronikë tashmë iu është përshkruar terapia e nevojshme.

Shkak i protestës është bërë mosplotësimi i kërkesave të tyre. Mjekët e pakënaqur dolën me një sërë kërkesash në fillim të vitit, ku kryesorja ishte rritja e pikës së kapitacionit, e cila sipas tyre nuk ka ndryshuar prej pesë vitesh. Ata kërkojnë “shëndetësi elektronike, fshirjen e shkallës destimulative, rritjen e buxheteve për specialistët dhe laboratoritë dhe për ambulancat rurale, të mos mbyllen ambulancat për mjekët që dëshirojnë të punojnë mbi moshën 64 vjeçare etj.

Kriza ekonomike i prek më së shumti ata, por janë të inatosur me qëndrimin injorant të qeverisë. Më herët ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se nuk e mbështet protestën e paralajmëruar, ndërsa tha se problemet nuk mund të zgjidhen në kurrizin e pacientëve. Ai tha se e pranon kërkesën që urdhëresa për në spital mos të jetë e printuar por në formë elektronike, por tha se kjo merr kohë sepse duhet të forcohet sistemi në pjesën e teknologjisë.

A kanë të drejtë mjekët!

Protesta e mjekëve familjar është e drejtë dhe e arsyeshme sepse ndryshimi i pikëve të pagesës nuk ka ndryshuar në pesë vitet e fundit. Në bazë të këtyre pikëve, formohen edhe të ardhurat e mjekëve. Aktualisht kjo pagesë është 63 denarë nga shteti, e këto para nuk janë të mjaftueshme që një mjek të mbajë hapur ambulancën. Shpenzimet në pesë vitet e fundit janë rritur dukshëm, ndërsa vetëm në dy vitet e fundit ato janë bërë të papërballueshme. Mjekët me paratë që i marrin nga shteti për çdo pacient të tyre të regjistruar, përveç shërbimeve që i kanë ndaj pacientëve detyrohen të paguajnë qiranë për ambulancat e tyre, rrymë elektrike, ngrohje, paga të mjekëve, paga të motrave medicinale dhe sigurisht të blejnë pajisje moderne për ambulancë. Kjo e bën mbajtjen e një ambulante shumë të shtrenjtë dhe pikërisht për këtë arsye shumë mjekë detyrohen ose të pakësojnë numrin e punëtorëve, ose të mos investojnë më në teknologji të avancuar për ambulancat e tyre.

LSDM në fushatën zgjedhore kishte premtuar se pagesa do të jetë 90 denarë, jo 63 sa është tani, por ky premtim edhe pas pesë viteve në pushtet nuk është përmbushur.

Pagesat e mjekëve janë rritur vetëm në shëndetësinë publike, që nënkupton vetëm tek mjekët nëpër spitale, por aspak nuk janë rritur pagat e mjekëve të familjes, të cilët konsiderohen si shtylla e sistemit shëndetësor.

Mjekët kërkojnë reforma në sistemin primar!

Mjekët kanë paguar nga një mijë euro për specializim i mjekësisë familjare të cilat i kanë kërkuar nga FSSH. Shpenzimet i kanë bërë vetë por nga kjo s’kanë pasur asnjë dobi, qoftë për punë, për t’u avancuar, apo për të marrë ndonjë punë shtesë. Mjekët pranojnë reformat, por kërkojnë që t’iu jepen më shumë ingerenca në të ardhmen me qëllim që të kryejnë disa ekzaminime të brendshme si eko apo incizime doppler dhe me këtë do të përfitojnë më shumë të ardhura.

Mjekët e familjes po kërkojnë ndryshime në ligjin e kujdesit shëndetësor që do të mundësojë trajtim më të lehtë për pacientët me sëmundje kronike, më pas kërkojnë ndryshime strategjike që do të transferojnë pacientët e referuar te mjeku i familjes në pension te mjekët e rinj, gjë për të cilën do të motivohen edhe të rinjtë që të hapin më lehtë një ambulancë të tyre.

Nuk ka ambulanca të mjaftueshme!

Si rezultat i kushteve të rënda për funksionim të mjekëve të familjes, shumë pak mjekë të rinj vendosin të qëndrojnë në këtë fushë. Ata më përpara preferojnë të shkojnë e të punojnë nëpër spitale se sa të “çajnë kokën” me pacientët e përditshëm që vuajnë nga sëmundje kronike. Shëndetësia primare është shumë e rëndësishme dhe kjo funksionon thuajse gjithandej në botë, sepse nëse ka një funksionim të mirëfilltë të këtyre mjekëve, atëherë më lehtë dhe me kohë detektohen shumë sëmundje të ardhshme. Kjo mjekësi do të duhej të eliminonte shumë defekte në sistemin shëndetësor dhe nuk do të lejonte që për çdo dhimbje të vogël, pacientët të shkojnë nëpër spitale.

Aktualisht mjekët e familjeve janë shumë të ngarkuar me punë, sepse mungojnë ambulanca të mjaftueshme. Shumë fshatra nuk kanë aspak ambulancë dhe banorët e tyre kur hasin në probleme të mëdha drejtohen direkt nëpër spitale, ndërsa mjekët e familjes nuk kanë se si të kontrollojnë këtë shtresë të qytetarëve.

Nëse nuk do të kishte mjekësi primare, spitalet të cilat edhe ashtu janë të stërmbushura, do të bllokoheshin çdo ditë nga pacientët. Prandaj në këtë mënyrë, sistemi primar ia lehtëson punën sistemeve tjera shëndetësore.

Është fakt se shumë mjekë familjar nuk ia japin hakun punës së tyre, dhe ndoshta nga padituria e tyre dhe për arsye tjera me shumë lehtësi dërgojnë pacientë nëpër spitale, por është fakt se shumë mjekë të zotët me kujdes maksimal i vëzhgojnë dhe i ndjekin situatat me pacientët e tyre dhe nuk i dërgojnë për kot nëpër spitale.

Mjekët po na ikin çdo ditë e më shumë. Ky është një shqetësim shumë i madh, ndërsa pandemia tregoi se sa të rëndësishëm janë mjekët, prandaj autoritetet përgjegjëse nuk duhet të çojnë inate me mjekët të cilët kujdesen çdo ditë për fëmijët tanë, familjarët tanë dhe i trajtojnë ata në mënyrën më të mirë.

Mjeku i mirë dhe përkrahja e ndaj tyre nënkupton jetë të shëndetshme e më pak kokëçarje për spitalet e stërmbushura.