Editorial/ Maqedonia e Veriut shtet “lypsar”, por për shpërblime “faqebardhë”

Shkup, 29 mars – Para nisjes në avionin që po udhëtonte drejt Portugalisë ku do të zhvillohet ndeshja e futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Portugalisë, ishin futur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Kryeministri Kovaçevski ju premtoi atyre një shpërblim prej 500 mijë eurove në rast se eliminojnë Portugalinë dhe kualifikohen për në Botërorin e Katarit, shkruan Zhurnal.

“Ju jeni pika më e ndritur e Maqedonisë për momentin, e gjithë Maqedonia ju pret në shesh dhe qeveria me kënaqësi do të ndajë një shpërblim prej 500 mijë eurove për kualifikim në Botërorin e Katarit”, u tha lojtarëve kryeministri Kovçevski.

Ngjashëm pati vepruar edhe ish kryeministri Zoran Zaev, duke i shpërblyer lojtarët me nga 10 mijë euro.

“Sonte, në seancën e Qeverisë morëm vendim që nga rezervat buxhetore t’i shpërblejmë të gjithë anëtarët e kombëtares së futbollit të Maqedonisë me nga 10.000 euro për secilin, për arritjen e suksesit historik – kualifikim në Kampionatin Evropian”, kishte shkruar Zaev në rrjetin e tij social facebook.

Nga ana tjetër, shteti i këtyre kryeministrave “zemergjër” kur menaxhojnë me buxhetin e shtetit, renditet ndër të fundit në Evropë lidhur me standardin jetësor të qytetarëve të saj. Edhe të dhënat e fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave – Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut është vendi i tretë më i varfër në Evropë me 43 për qind të mesatares evropiane të konsumit individual për frymë që mat mirëqenien e familjeve.

Edhe në treguesin tjetër ekonomik lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Maqedonia e Veriut renditet ndër shtetet më të varfra në kontinentin e vjetër. Sipas të dhënave të Eurostat, Maqedonia e Veriut me 38 për qind të mesatares evropiane lidhur me të ardhurat për frymë renditet ndër shtetet më të varfra në Evropë

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut është 59 për qind e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) ose 6.95 miliardë euro. Sipas përllogaritjeve kjo do të thotë se çdo qytetar i RMV-së ka 3.475 euro borxh. Derisa në strategjinë e re fiskale Qeveria ka paraparë marrje të huazimeve të reja dhe obligacioneve tjera, shkruan Zhurnal.

Sipas kësaj situate kur borxhi publik bashkë me varfërinë janë në rritje, Maqedonia e Veriut duhet të ndjekte shembullin e Kenies, ku lojtarët marrin sheqer si shpërblim dhe arbitrit i jepet sanduiç.

Kenia është shtet në Afrikën Lindore, ku sipas të dhënave të fundit, 56% e popullsisë në Kenia jeton në varfëri të plotë.

Ky është një çmim simbolik në Kenia, sepse standardi i jetesës në vendin e përmendur afrikan është shumë i ulët, dhe klubi që njihet veçanërisht për çmimet në formën e kilogramëve sheqer është skuadra Niozia.

Më e nevojshme do të kishte qenë që këto shpërblime të destinohen për nevojat më elementare të qytetarëve, në shëndetësi, arsim, e posaçërisht në ndihmë të kategorive të rrezikuara sociale në përballimin e krizës së rënduar ekonomike. Studentët e të rinjtë, sikurse nuk marrin pjesë në këtë shtet, pakoja prej 26 masave nga Qeveria në ndihmë të qytetarëve, në asnjë pikë nuk ishin të përfshirë studentët.

Respekt e krenari për secilin lojtarë që na bëjnë krenar me sukseset dhe punën e tyre në fushë, kënaqësi kur sjellin fitore, mirëpo kur shteti është në krizë e i varfur as lojtarët nuk presin shpërblime. Në fakt, fitorja e tyre është shpërblim për shtetin që të paktën në një fushë atë sportive, reflekton sukses Maqedonia e Veriut./Zhurnal.mk

https://www.facebook.com/Dimitar.Kovachevski/posts/383621977100557