Editorial/ Kush humbë e kush fiton me një njësi eventuale zgjedhore ?

EDITORIAL NGA AGJENCIA E LAJMEVE ZHURNAL

Shkup, 7 tetor – Në Maqedoninë e Veriut çdoherë kur fillon të vijë era e zgjedhjeve, në skenë dalin zërat se çfarë sistemi zgjedhor duhet të kemi. Partitë e vogla janë ata që vazhdimisht kërkojnë që të ndryshohet Kodi Zgjedhor, që do të thotë se Maqedonia e Veriut nga një vend me gjashtë njësi zgjedhore, të ndryshojë në një njësi zgjedhore. Kundër kësaj njësie zgjedhore kanë dalë partitë shqiptare, të cilat druajnë se mund të humbin vota, ndërsa partitë e vogla shpresojnë të fitojnë më shumë deputetë!

Partitë e vogla kërkojnë një njësi zgjedhore

Deputet i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Pavle Trajanov është ndër deputetët më të zëshëm në kërkesën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Ndryshimet e propozuara parashohin që i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut të përfshihet vetëm në një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, duke u mundësuar si partive më të vogla politike, ashtu edhe partive të komuniteteve më të vogla etnike, të ushtrojnë të drejtën e tyre të përfaqësimit në Kuvendin e vendit.

Me aplikimin e modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore do të zhbëhet monopoli që kanë instaluar partitë më të mëdha politike, ndërsa në bazë të sistemit aktual, votat e partive më të vogla janë të ndara në gjashtë njësi zgjedhore dhe në asnjë prej tyre nuk arrijnë të marrin asnjë mandat nëse nuk u bashkohen partive më të mëdha.

Sistemi aktual, si i tillë, eliminon përfaqësimin e partive më të vogla në Kuvend, ndërsa rrjedhimisht, kjo u mundëson partive më të mëdha të instalojnë kuadro të afërta me partinë që drejtojnë dhe institucionet, të cilat duhet të jenë të pavarura pasi ato i zgjedh Kuvendi që përbëhet nga forcat më të mëdha politike.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth dhjetë parti të vogla të cilat në zgjedhje bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë e mëdha, siç janë Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO-DPMNE, në mënyrë që të mund të përfaqësohen në Kuvend.

Shqiptarët kundër modelit me një njësi zgjedhore

Kundër ndryshimit të modelit zgjedhor janë shprehur partitë shqiptare pasi druajnë se me modelin me një njësi zgjedhore mund të humbin vota të zgjedhësve shqiptarë. Votuesit shqiptarë janë të përqendruar në tri nga gjashtë njësi zgjedhore, edhe atë në njësinë 2, 6 dhe 5, që përfshijnë të gjithë pjesën veri-perëndimore të vendit.

Kryesisht partitë shqiptare i nxjerrin nga njësia numër 6-të që përfshinë Tetovën dhe Gostivarin, ndërsa nga njësia 2 dhe njësia pesë zgjedhin gjysmën tjetër të deputetëve.

Fillimisht besohej se me një njësi zgjedhore shqiptarët mund të fitojnë deri në 30 deputetë, por me migrimet e fundit, duket se frika është shtuar tek të gjitha partitë. Nëse ekziston një njësi zgjedhore, atëherë shqiptarët duhet të kërkojnë deputetë në bazë të përqindjes së votave që kanë marrë nga 120 deputetë sa janë gjithsej. Kjo i bie që nëse në nivel të përgjithshëm dalin të votojnë rreth 1milionë votues, atëherë duhet që 8-9 mijë vota t’i ketë çdo deputet, e këtë mund mos ta arrijnë shumë parti politike. Ndërsa me ruajtjen e modelit me gjashtë njësi zgjedhore, pragu për të kaluar si deputet caktohet nga numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar brenda asaj njësie zgjedhore. Psh. Nëse në njësinë zgjedhore 6, dalin të votojnë 150 mijë votues, atëherë pragu i deputetëve është 7.5 mijë vota, e jo 8-9 mijë vota sa mund të jenë në nivel republikan.

Bashkimi Demokratik për Integrim preferon të mbetet sistemi aktual me 6 njësi zgjedhore përderisa partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët, konsideron se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte më i denjë përmes 8 njësive zgjedhore.

Ndërkaq, partia maqedonase në pushtet Lidhja Social Demokrate para se të vijë në pushtet është zotuar se do të angazhohet për modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore, ndërkohë që aktualisht mbron qëndrimin se për këtë duhet arritur konsensus me partitë politike relevante.

VMRO DPMNE-ja thotë se do të mbështesë draft-ligjin e propozuar nga partitë më të vogla me kusht që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Asnjëri sistem nuk është perfekt, por duhet të merren shembujt më të mirë edhe nga vendet e rajonit se si të veprohet në të ardhmen.

Ka nevojë për lista të hapura!

Ajo që duhet të ndodhë si ndryshim fillestar është një model që do t’i mbante gjashtë njësitë zgjedhore, por listat të jenë të hapura. Kjo nënkupton se votuesit të kenë mundësinë brenda njësisë zgjedhore të votojnë për ata deputetë që mendojnë se mund të jenë përfaqësues më të mirë të tyre. Aktualisht tek ne votohet vetëm partia, ose bartësi i listës në atë njësi zgjedhore, e kjo në mënyrë zinxhirore pastaj i nxjerr deputetët tjerë të ardhshëm.

Fatkeqësisht çdoherë deputetë jo mjaftueshëm të aftë dhe të zotët fshihen pas bartësit të listës dhe pasi zgjidhen deputetë në katër vitet e ardhshme nuk u dëgjohet më zëri në Kuvend. Fatkeqësisht, ka shumë deputetë që janë në kuvend që votuesit as nuk i njohin, sepse ata kurrë nuk kanë marrë guximin të bëjnë ndonjë iniciativë ose të marrin fjalë për diçka, por të gjithë kanë vepruar vetëm me dirigjimet e partisë ose kanë lexuar dirigjimet që iu vijnë nga partia.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-së në vazhdimësi ka kërkuar që ndryshimet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Janë gjithsej 32 rekomandime që sugjerojnë një Komision të përhershëm zgjedhor, procedura të qarta dhe transparente të emërimit, udhëzime të qarta për regjistrimin e votuesve, komisionit kundër korrupsionit t’i sigurohen burime njerëzore dhe financiare që në mënyrë efikase të kryejë punë gjatë zgjedhjeve, të hiqet varësia e televizionit publik nga buxhetit i shtetit, e çështje tjera.

Ndryshe që nga momenti kur është miratuar Kodi Zgjedhor, ai është ndryshuar 36 herë dhe asnjëherë nuk është arritur të bëhet një model i mirë. Këtë e pamundësojnë partitë e mëdha politike të cilat zotohen se do të mbështesin kërkesën për një njësi zgjedhore, ndërsa në anën tjetër punojnë që kjo të mos ndodhë.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor fokusin kryesor duhet ta kenë tek e drejta e votës, pasi në të gjitha ciklet zgjedhore, janë regjistruar shkelje nga më të ndryshmet në të drejtën e votës, përfshirë mohimin e votimit dhe për këtë./Zhurnal.mk