EDITORIAL – Komunat “t’i hapin sytë e t’i bëjnë katër” dhe të shfrytëzojnë në maksimum ndihmën nga qeveria!

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal
Shkup, 22 prill – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që për herë të dytë të ndajë buxhet special për komunat, të cilat mjete duhet të shfrytëzohen për projektet infrastrukturore lokale.
Qeveria i ndan 250 milionë euro për komunat
Kësaj radhe qeveria ka ndarë 250 milionë euro. në thirrjen e parë ishin të planifikuar të ndahen 18 milionë euro, ndërsa aktualisht nga institucionet shtetërore janë miratuar gjithsej 288 projekte në 78 komuna, ku vlera e përgjithshme e projekteve është rreth 75 milionë euro.
Komuna e Gostivarit në thirrjen e parë qeveritare kishte aplikuar me 13 projekte, të cilat kishin shumë të përgjithshme prej 2.7 milionë eurosh, ndërsa në fazën e dytë kjo komunë ka aplikuar me 21 projekte dhe po përgatitin edhe 25 projekte tjera.
Komunat që kanë marrë shumën më të madhe të parave deri më tani është komuna e Kumanovës me gati 4 milionë euro për realizimin e 3 projekteve, pastaj vijon komuna e Manastirit me rreth 3 milionë e 750 mijë euro për 16 projekte. Të njëjtën shumë e ka fituar edhe komuna e Tetovës për tre projekte, komuna e Aerodromit me 3.4 milionë për 9 projekte dhe komuna e Gazi Babës me 3 milionë euro për 4 projekte.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, bëri të ditur se kanë ndarë gjithashtu edhe 229 milionë denarë për projekte mjedisore ku komunat do të marrin rolin udhëheqës.
Kryetarët duhet t’i qasen më seriozisht kësaj mundësie
Interesimi i komunave për këto mjete është shumë i madh dhe e gjithë administrata komunale thuajse është duke bërë gati projekte të cilat kanë qenë kërkesë e kahmotshme e qytetarëve. Në plan janë asfaltimi i rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit, ndërtimi i çerdheve, shkollave dhe shumë projekte të tjera.
Komunat shqiptare kanë hapur sytë dhe po vazhdojnë të krijojnë projekte komunale, por kjo nuk duhet t’i ndalë ata që të thithin sa më shumë që të jetë e mundur mjete financiare.
Duhet ta kenë të ditur se kjo mundësi nuk jepet çdoherë prandaj duhet të shfrytëzohet në maksimum. Krytetarët e komunave duhet të bëjnë maksimumin që mos të lejojnë t’iu ikë kjo mundësi e artë që t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve. Nuk është e mjaftueshme që vetëm të ankohen dhe të qahen se nuk kanë mjete dhe financa, por duhet të dinë t’i sigurojnë mjetet të cilat ofrohen.
Fatkeqësisht nga e kaluara kemi parë se shumë komuna nuk janë në gjendje të bëjnë asnjë projekt siç duhet dhe prandaj dështojnë me realizimin e këkresave të shumta. Shumë komuna të tjera nuk kanë administratën e duhur dhe nuk mund të krijojnë projekte, sepse komunat numërojnë shumë pak të punësuar, ndërsa buxheti i tyre thuajse është vetëm sa për të paguar rrogat e punëtorëve.
Në këtë sferë duhet që qeveria të ofrojë asistencën e duhur dhe t’i përfshijë edhe komunat më të vogla, të cilat për shumë arsye nuk janë në gjendje të bëjnë hapin e duhur.
Gjithashtu me rëndësi është të theksohet se në të kaluarën ka vlejtë parimi që janë ndihmuar komunat të cilat kanë pasur lidhje me partinë në pushtet, ndërsa janë lënë anash ata që kanë qenë në opozitë. Qeveria aktuale ka pohuar se nuk do të ketë ndarje të tilla politike, por do të ndajë mjete për çdo projekt serioz.
Nëpër shumë komuna urbane rrugët janë të dëmtuara dhe me shumë gropa, nuk ka ndriçim të mjaftueshëm, nuk ka korsi për biçikleta, nuk ka vende të mirëfillta për hedhje të mbeturinave, nuk ka parkingje të mjaftueshme… Është rasti i artë që këto probleme të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Nëpër komunat rurale, qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me probleme themelore, siç është uji i pijshëm, kanalizimet, asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave, ndriçimi publik, shkolla jo adekuate dhe mungesë të vendeve për rekreim.
Prandaj, komunat shqiptare duhet t’i “hapin sytë e t’i bëjnë katër” siç thotë populli, sepse tani e kanë shansin e vërtetë për të realiziuar të gjitha ato projekte të cilat janë lënë anash deri më tani.