EDITORIAL / Çdo qeveri po bën eksperimente me fëmijët në arsim!
Shkruan Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 16 gusht – Në renditjen e fundit të universiteteve në botë për vitin 2022, nuk ka asnjë universitet të vetëm nga Maqedonia e Veriut që gjendet në listën e Shangait. Në këtë listë nuk gjenden as universitetet nga Shqipëria ose Kosova. Në mesin e vendeve të rajonit, Universiteti i Athinës është renditur midis 301 dhe 400, ndërsa universitetet e Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës janë nga vendi 401 në 500 dhe Universiteti i Novi Sadit është renditur midis vendit 901 dhe 1000.
Koha për alarm në sistemin arsimor!
Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut ëshë në një ndër pikat më të ulëta dhe këtë e dëshmon edhe renditja e fundit e publikuar nga Renditja Akademike e Universiteteve Botërore (ARWU). Që nga viti 2009, Renditja Akademike e Universiteteve Botërore (ARWU) është botuar dhe mbrojtur nga e drejta e autorit nga Shanghai Ranking Consultancy, e cila është organizatë plotësisht e pavarur për inteligjencën e arsimit të lartë dhe nuk është në varësi ligjore të ndonjë universiteti apo agjencie qeveritare.
Në këtë renditje ARWU përdor gjashtë tregues objektivë për të renditur universitetet botërore, duke përfshirë numrin e ish-studentëve dhe stafit fitues të çmimeve Nobel dhe medaljet Fields, numrin e studiuesve shumë të cituar të përzgjedhur nga Clarivate, numrin e artikujve të botuar në revistat “Nature and Science”, numrin e artikujve të indeksuar në “Science Citation Index Expanded™” dhe “Social Sciences Citation Index™” në “Web of Science™”, dhe performanca për person të një universiteti.
Më shumë se 2500 universitete aktualisht renditen nga ARWU çdo vit dhe publikohen 1000 më të mirët dhe mesin e tyre nuk gjendet asnjë universitet na Maqedonia e Veriut. Fatkeqësisht nuk ka informacion nëse ndonjë Universitet i yni gjendet në mesin e 2500 universiteteve të cilat i kanë në renditjen e tyre ARWU.
Strategjia e arsimit në Maqedoninë e Veriut për periudhën 2018-2025
Çfarë thotë zyrtarisht Strategjia e arsimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2018-2025!
Zhvillimi i Strategjisë është bërë nëpërmjet gjashtë grupeve të punës të formuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe u mbikëqyr prej dy bashkërenduesish në shkallë kombëtare. Ata mbështeteshin nga një ekip ekspertësh që vepronin në kuadër të projektit për Marrëveshjen kornizë të ndihmës teknike për përgatitjen e Strategjisë gjithëpërfshirëse 2018-2020 të zbatuar nga Agrikonsalting Evropa prej Belgjike (С.А.Agriconsulting Europe S.A.- AESA).
Ndonëse procesi i përgatitjes së Strategjisë dhe Plani i veprimit u bënë me përkrahjen financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian nëpërmjet një procesi këshillimesh, prapëseprapë ky proces ka ndjekur këto parime: përkatësia ndaj qeverisë së Republikës së Maqedonisë (QRM) dhe institucioneve që përgjigjen drejtpërdrejt për zbatimin e tyre, sidomos Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale si dhe organet dhe institucionet përgjegjëse për arsim duke përfshirë dhe institucionet arsimoreç dhe pranimi nga një rreth i gjerë palësh të interesuara, duke përfshirë këtu organet publike, shoqatat qytetare, partnerët socialë dhe bashkësinë e partnerëve zhvillimorë (partnerët e zhvillimit).
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zhvillojë sistem të integruar i cili do të ndikojë në rritjen ekonomike dhe produktivitetin e punës dhe do t’i rrit mundësitë e të rinjve për vende pune cilësore. Qëllimi është që të sigurojë integrim të madh shoqëror në kuptimin etnik, rajonal, social dhe kulturor të nxit mendimin kritik dhe qytetarinë aktive.
Rezultatet e fundit nga testimi i PISA-s për nxënësit në Maqedoni tregojnë se na nevojiten reforma urgjente dhe gjithëpërfshirëse në arsim.
Çdo qeveri po bën eksperimente me fëmijët në arsim!
Në emër të tranzicionit dhe gjetjes së formulës adekuate në arsim, qeveria e Maqedonisë së Veriut që pas pavarësimit ka provuar dhe ka bërë eksperimente nga më të ndryshmet me të gjitha nivelet e arsimit. Në nivelin e ulët, njëherë fillojnë me sistemin Cambridge, pastaj me sistem gjerman e në fund del se ky sistem mbetet ballkanas.
Dikur qeveria vendoste kompjuterë nëpër shkolla, pastaj ato vidheshin, dëmtoheshin e nuk funksiononin siç duhet. Garnitura tjetër qeveritare i hiqte ato dhe kërkonte që të fokusohen tek librat, pastaj “ekspertët” tjerë vendosnin që fëmijët të mos mësojnë aspak me libra fizik por vetëm me libra online, me tabletë si fëmijët modernë.
Në emër të emancipimit, arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm, por profesorët nuk kishin mënyrë dhe të drejtë që ta ngelnin asnjë nxënës që nuk mësonte. Në fund duhej të kalonin vitin edhe ai që mësonte, edhe ai që nuk mësonte! Çmenduri e llojit të vet.
Me strategjinë e re në shkollat e mesme, implementohet sistemi gjerman, që nënkupton se gjatë mësimit duhet të bëhet edhe praktikë. Një ide e shkëlqyer, por që në fund të fundit këta të diplomuar po shkojnë e po punojnë në Gjermani (sistemi i ngjashëm, diplomat e pranuara).
Në arsimin e lartë, u vendos sistemi i Bolonjës, që nënkuptonte që studentët duhet të mbarojnë 3 vite universitet (180 kredi) dhe pastaj të shkojnë edhe në dy vite tjera për magjistraturë (300 kredi). Në këtë formë shumë institucione nuk pranonin studentë me 3 vite universitet, e që detyroheshin studentët ose të vazhdonin edhe dy vite tjera, ose të ngelnin sikur të mos kishin diplomë. Ky sistem ende vazhdon, e që në fakt u tregua se vetëm prodhon diploma, e aspak arsimim.
Aq sa ke arsimim të mirëfilltë, aq më i fuqishëm je!
Rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri para qindra viteve më parë e dha formulën për zhvillim të shqiptarëve më thënien e tij të bukur “Vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”, por që në fakt ne si për inat të tij, nuk e kemi kuptuar ashtu siç duhet këtë porosi. Një shtet dhe një komb është i zhvilluar, aq sa ka shtresën e popullatës të arsimuar (jo vetëm me diploma në letër), prandaj në njëqind universitetet e para të botës, 39 janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari në listën e renditjes së Shangajit është Universiteti i Harvardit nga SHBA. 15 vendet e para në listë mbahen nga universitetet amerikane dhe dy universitetet britanike Cambridge dhe Oxford në vendin e katërt dhe të shtatë.
Kina ka nëntë universitete të renditura në top 100, Gjermania ka katër, dhe në mesin e 100 më të mirëve janë edhe universitete nga Franca, Suedia, Danimarka, Zvicra, Izraeli, Japonia, Australia dhe Kanadaja.
Prandaj, a rastësisht këta shtete e udhëheqin botën! Duke qenë gjithmonë i fundit apo në mesin e të fundit, kjo s’ka shumë rëndësi, i bie që je sërish në fund, i zhytur kështu në llumin e botës dhe prandaj askush nuk i përfill diplomat e Maqedonisë së Veriut dhe të rinjtë tanë detyrohen me diplomë në xhep të marrin rrugën e kurbetit, për të punuar kamerierë, shoferë, murator…
Nga ky llum i thellë, dilet vetëm duke mos intervenuar prindi për një notë më të mirë tek mësuesi, ose politikani për një diplomë te profesori, dhe profesori për një vend pune te politikani.
Në arsim nuk duhet të ketë përzierje të politikës ditore, dhe deri sa nuk e kuptojmë njëherë e përgjithmonë këtë rrezik, fëmijët tanë do të mbeten peng e budallallëqeve të prindërve të tyre, e që në fund vetë ata fëmijë do t’iu thuan se na morët në qafë po ikim nga ky vend! // Zhurnal.mk