EDITORIAL / Çdo mos stabilitet politik në Bullgari nuk është i mirë për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 3 tetor – Bullgaria ka votuar dje sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku fitues ka dalë partia e udhëhequr nga ish kryeministri Bojko Borisov. Edhe përkundër kësaj fitoreje, formimi i qeverisë do të jetë shumë i vështirë dhe për këtë arsye kriza politike atje nuk duket se do të ketë një fund të shpejtë. Borisov njihet si kryeministri që ka mbështetur rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe me ish-kryeministrin Zoran Zaev ka pasur marrëdhënie vëllazërore duke nënshkruar edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Edhe pse duket më i hapur ndaj Maqedonisë së Veriut, ai dhe çdo parti tjetër në Bullgari do të vazhdojnë të kërkojnë respektimin e marrëveshjes bilaterale ku parashihet që bullgarët të futen në Kushtetutën e vendit.

Rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari

Nga 99 për qind e votave të numëruara në Bullgari partia e Bojko Borisovit, GERB ka fituar 25.43 për qind të votave. Në vendin e dytë renditet partia Vazhdojmë Ndryshimin (PP) e Kiril Petkov me 20.21 për qind, e treta është DPS me mbështetjen prej 13.56 për qind, partia “Vazrazhdane” është e katërta me 10.17 për qind të votave të numëruara. 9,34 për qind e votuesve votuan për BSP për Bullgarinë dhe 7,45 për qind për Bullgarinë Demokratike.
Mbi 4% qe është pragu i përqindjes për të hyrë në parlament, sipas informacioneve të deritanishme e ka kaluar “Ngritja bullgare” me 4.65%, dhe “Ka një popull të tillë” merr 3.84% dhe aktualisht është nën pragun për të hyrë në parlament.

“Ngrihuni Bullgari” ka marrë 1,01 për qind, ndërsa VMRO-BND – 0,81 për qind. Rusofilët për ringjalljen e atdheut mbledhin 0.26 për qind. Partia “Attaka” e Volen Siderov mbledh vetëm 0,31 për qind dhe NFSB – 0,14 për qind të votave.

Në Parlamentin prej 240 deputetëve, Borisov pritet të ketë 63 deputetë dhe Petkov, 53 deputetë, ndërsa në Kuvend kanë hyrë edhe pesë parti të tjera.

Borisov vështirë të formojë Qeverinë

Udhëheqësi i partisë Vazhdojmë Ndryshimin (PP), Kiril Petkov, qeveria reformiste e të cilit u rrëzua në qershor pas vetëm gjashtë muajsh në pushtet, pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari.

“Ne i humbëm zgjedhjet, edhe pse me një diferencë të vogël, dhe tani GERB ka përgjegjësinë të formojë një koalicion dhe të qeverisë vendin”, tha ai.

Lideri i GERB-it, Bojko Borisov, falënderoi ata që votuan për koalicionin e tij, ndërsa nga kjo parti njoftuan se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për formimin e një qeverie të rregullt në Bullgari pas shpalljes së rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vend. Nga Gerb kanë thënë se nuk komentojnë hipoteza dhe se nuk përjashtojnë askënd për negociata.

Aktualisht, GERB do ta ketë të vështirë të gjejë partnerë koalicioni dhe të formojë një koalicion të qëndrueshëm qeverisës, pasi shumica e grupeve politike kanë refuzuar paraprakisht çdo bashkëpunim me partinë e Borisovit, duke e akuzuar atë për lejimin e korrupsionit të shfrenuar gjatë sundimit të tij dhjetëvjeçar që përfundoi në prill të vitit 2021.

Megjithatë, media bullgare përmend tashmë një koalicion të ri që mund të dalë pas rezultateve të tilla zgjedhore. Një koalicion i gjerë i dy partive më të mëdha në Bullgari, GERB-SDS i Borisovit, së bashku me “Vazhdojmë Ndryshimet” e Kiril Petkov dhe “Bullgaria Demokratike”. Ky koalicion do të kishte 130 mandate. Petkov deklaroi se nuk do të bënte koalicion me GERB-in derisa Borisov të jetë në krye të saj.

Këto janë zgjedhjet e katërta në 18 muaj në Bullgari, ndërsa këto zgjedhje të parakohshme erdhën pasi koalicioni i brishtë i udhëhequr nga Petkov humbi votëbesimin në qershor. Petkov pretendoi se Moska përdori taktika të “luftës hibride” për të rrëzuar qeverinë e tij pasi Sofja refuzoi të paguante faturat e gazit në rubla dhe urdhëroi dëbimin e diplomatëve rusë nga Bullgaria.

Çdo mos stabilitet politik në Bullgari nuk është i mirë për Maqedoninë e Veriut

Ndryshe nga ciklet e mëparshme zgjedhore, çështjet që përfshinin Maqedoninë e Veriut nuk ishin temë qendrore në fushatën parazgjedhore në Bullgari dhe ky është një lajm i mirë. Por presidenti Rumen Radev, edhe njëherë e përsëriti se kërkesa e Bullgarisë është për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si kusht për hapjen e kapitujve në procesin e anëtarësimit në Bashkim.

Megjithatë, ideologjitë e së kaluarës po rishfaqen. Në profilin e saj, Shoqata e Qytetarëve, e cila mban emrin e të ashtuquajturit “Mbreti Bashkues Boris i Tretë”, njofton hapjen e një klubi kulturor bullgar në Ohër. Do të ishte klubi i dytë i tillë në Maqedoni, pas “Vanço Mihajlov” në Manastir. Për shkak të afërsisë së Car Borisit me qeverinë fashiste të Hitlerit, publiku reagoi ndaj këtij provokimi të ri dhe komuniteti hebre njoftoi një kallëzim penal.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë bërë asnjë reagim në lidhje me këto vendime bullgare, por në nivel zyrtar duket se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë përmirësuar. Presidenti Stevo Pendarovski, i cili për herë të parë vizitoi shtetin fqinj për të marrë pjesë në ceremoninë e vënies në punë të interkonjeksionit të gazit Greqi-Bullgari, deklaroi se retorika e Sofjes ndaj Shkupit në muajt e fundit është qetësuar.

Ai i tha presidentit Radev se nuk do të kishte ardhur nëse në vend të krizës së gazit dhe energjisë elektrike do të flitej për historinë.

Nëse formohet një koalicion i gjërë në Bullgari që nënkupton edhe një qeveri stabile, atëherë kjo do të ishte koha më ideale për të gjetur zgjidhjet ndërmjet dy vendeve, sepse në këtë mënyrë presioni nga opozita në Bullgari do të ishte më i vogël dhe gjasat për mirëkuptim ndaj Shkupit zyrtar do të ishin më të mëdha.

Aktualisht, temë kryesore do të jetë formimi i qeverisë, dhe fatmirësisht edhe Borisov edhe Petkov nuk janë shumë “agresiv” në çështjen ndaj Maqedonisë së Veriut, prandaj më e rëndësishmja në shtetin fqinjë është që të kemi qeveri stabile dhe pjesa tjetër do të jetë më e lehtë për tu menaxhuar.

Ajo që është më e patjetërsueshmja për momentin është që fillimisht Shkupi zyrtar t’i bëjë detyrat e shtëpisë, duke ndryshuar Kushtetutën dhe duke futur bullgarët, bashkë me kroatët, malazezët, çifutët e Maqedonisë së Veriut në kushtetutën e vendit.

Nëse për shkak të mosformimit të qeverisë shkohet sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare në Bullgari, atëherë për Maqedoninë e Veriut do të thotë humbje kohe në rrugën e integrimit.//Zhurnal.mk