EDITORIAL / A po fillon drejtësia në Maqedoninë e Veriut, apo po mbulohet “dielli me shoshë”!

Shkruan Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 17 gusht – Sistemi i drejtësisë një ndër më problematikët në Maqedoninë e Veriut është tronditur sërish dje nga një sërë aktivitetesh që ndodhnin njëra pas tjetrës. Fillimisht u dha lajmi se Kryeprokurorja për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskovska është suspenduar nga puna e më pas, drejtori i policisë financiare, Arafat Muaremi ka dhënë dorëheqje! Këto veprime të ndërlidhura njëra me tjetrën, duket se kanë dridhur sistemin edhe ashtu të kalbur të Maqedonisë së Veriut dhe sërish kanë hapur dilemat se a po fillon drejtësia në këtë vend, apo sërish ka lojëra politike, të cilat po mundohen ta mbulojnë “diellin me shoshë”.

Ruskovska suspendohet, Muaremi jep dorëheqje

Lubomir Joveski, prokurori në nivel republikan ka suspenduar nga detyra Vilma Ruskovskën, kryetare e Prokurorisë së Krimit të Organizuar. Sipas arsyetimit të Prokurorisë Themelore Publike, Joveski ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap për faktin se aktualisht kundër prokurores është duke u zhvilluar procedurë penale, pasi ndaj saj është ngritur kallëzim penal, të cilën më parë e kishte ngritur shefi i Policisë Financiare, Arafat Muaremi.
Krahas suspendimit të Ruskovskës, Prokuroria ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ndaj dy prokuroreve tjera, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, të cilat e kanë kryer bastisjen në Drejtorinë e Policisë Financiare.
Pas ankesës për bastisje jo ligjore në policinë financiare, dy prokuroret nga Prokuroria Publike, bënë mbikëqyrje në lëndën, me çka përgatitën raport ku u konstatuan shumë parregullsi gjatë lëndës. Tre ditë pas përgatitjes, e njëjta është dorëzuar në policinë financiare dhe në opinion.
Pastaj thuhet se bastisja është kryer edhe pse nuk ka pasur dëshmi të mjaftueshme për vepër të kryer penale por thjeshtë për një denoncim penal. Sa i përket lejes nga Gjykata Penale, thuhet se e njëjta është marrë duke dhënë informata të gabuara.
Ndërkaq, pak orë më vonë, Arafat Muaremi ka njoftuar opinionin se tërhiqet nga posti ushtrues i detyrës, Drejtori i Policisë Financiare.
“Këtë vendim e mora me qëllim që në opinion të mos eksitojnë as dyshimi më i vogël për integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e procedurës e cila duhet të udhëhiqet edhe më tej në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar”, ka thënë Muaremi.

A po u rritet “mendja” prokurorëve apo janë futur në luftën e klaneve

Veprimet e prokurores Vilma Ruskoska, e sidomos përgjimet në kohën e fundit se ajo qëllimisht ka lënë në paraburgim njerëz edhe pse ishin tejkaluar të gjitha afatet kohore, është një ndër indikacionet se drejtësia është selektive. Biles, drejtësia konsiderohet si vegël për të bërë padrejtësi, për të kërcënuar, shantazhuar dhe për të bërë pazare të pista në interes të palëve të caktuara.
Vetëm një ankesë anonime e bëri Ruskovskën që të shkojë në zyrën e drejtorit të policisë financiare, Muarem Arafati dhe atë ta trajtojë në mënyrën çnjerëzore, duke i thyer të gjitha protokollet, e në këtë mënyrë kinse po tenton të zbulojnë shkelje ligjore, pa mos thënë se qëllimi kryesor ishte frikësimi i tij.
Duke i parë veprimet e Ruskovskës të shkon mendja te prokurorja speciale Katica Janeva, të cilës pasi iu besua një detyrë shumë e rëndësishme, filloi të bëjë pazare të pista, e në këtë mënyrë e uli kredibilitetin e drejtësisë, e dëmtoi imazhin e prokurorisë dhe të gjithë luftës për drejtësi. Edhe pse Prokuroria Speciale u krijua në vitin 2015 me ndihmën e ndërkombëtarëve enkas për të luftuar përgjimet ajo u devalvua pasi që kryeprokurorja e saj, Janeva u zbulua për përfshirje në veprime të paligjshme korrupsioni.
Nga ana tjetër, Muaremi me veprimet e tij me kundërpërgjigje ndaj prokurores Ruskovska dhe me ndihmën e prokurorit republikan Jovevski, nxori në pah se brenda pushtetit, e sidomos brenda LSDM-së ka filluar luftë e klaneve. Largimi i Zaevit nga pozita e kryeministrit u la hapësirë ish-konkurrentëve të tij që të hakmerren ndaj rrethit të ngushtë të Zaevit, e në këtë mënyrë duket se pre e kësaj lufte klanesh ishin shumë funksionar.
Kapitulli i drejtësisë, sfida e parë me Bashkimin Evropian
Jo rastësisht Maqedonia e Veriut pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, me çka edhe zyrtarisht i ka filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe skriningun e 35 kapitujve të negociatave, sfida e par është me Kapitullin e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.
Dhe në këtë kapitull thuhet se politikat e BE-së synojnë të ruajnë dhe ta zhvillojnë më tej Unionin si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie. Për çështje të tilla si kontrolli kufitar, vizat, migrimi i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fushën e drogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile, shtetet anëtare duhet të jenë të pajisura në mënyrë të duhur për të zbatuar në mënyrë adekuate kornizën në rritje të rregullave të përbashkëta.
Mbi të gjitha, kjo kërkon një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirë-integruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme…

Cila (pa)drejtësi do të sjellë drejtësi!

Kur lufta mes dy klaneve arrin kulmin, dhe me qëllim që mos të dalin edhe më shumë të palara të tjera në shesh, palët vendosin që rastin t’ia lënë drejtësisë. Por cilës drejtësi! Asaj drejtësie që i përgatit kurthe për njëri tjetrin? Asaj drejtësie kur prokurorët punojnë me dirigjim nga bandat klanore, grupet kriminale, partitë politike dhe lobit e ndryshëm të biznesit! Gjithçka mund të thuhet, por vetëm fjala drejtësi është e turpshme të thuhet.
Vetën nëse analizohet se ku përfunduan ata që akuzoheshin më së shumti për veprimet e tyre gjatë regjimit të Gruevskit, si Mijallkovi, Kamçev, Jankullovska, Janakievski… mund të vijmë në përfundimin se në të gjitha rastet, drejtësia u tentua të mbuloj rastet, siç mbulohet “dielli me shoshë”.