Editorial: A po e paguan Ali Ahmeti “tatimin” e drejtorëve të paaftë? Dikur takohej rregullisht me Albin Kurtin, tash mezi takohet me ministrat e tij!
Shkup, 21 gusht – Nuk bënte vaki që, pas zgjedhjes për kryeministër kosovar, Albin Kurti të vijë në Maqedoninë e Veriut, e të mos e takojë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Madje, madje, Kurti e pat pritur Ahmetin në Prishtinë, bashkë me gjithë ministrat e BDI-së, duke i dhënë vizitës një gjysëm-karakter të mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy vendeve.
Edhe pse në politikë gjërat kryesore bisedohen larg syve të opinionit, megjithatë mesazhet shpeshherë dërgohen edhe përmes fotografive dhe pamjeve.
Fotografitë dhe pamjet që kanë dalur nga takimet të cilat Albin Kurti i realizuar me Ahmetin, gjithmonë kanë pasqyruar një respekt të parit ndaj të dytit. Meqë kjo nuk është vërejtur vetëm në një takim, por në të gjitha takimet, na jep leje të konstatojmë se nuk ka pasur vetëm aktrim para blicave dhe kamerave, por se ka pas edhe një dozë sinqeriteti, shkruan Zhurnal.
Por kthesa ishte e menjëhershme. Gjithçka ndryshoi në këtë gusht të vitit 2023. Fillimisht dukej e pabesueshme, por më pas u konfirmua edhe zyrtarisht se Kurti do të vijë në Maqedoninë e Veriut dhe se nuk do të takojë asnjë zyrtar qeveritar, por se do të vizitojë komunat Çair dhe Tetovë.
Ishte e qartë se përzgjedhja e komunave nuk ishte e rastësishme, por ishte bërë me kujdes të veçantë, që duke vizituar këto dy komuna, të takojë edhe udhëheqësit e opozitës shqiptare.
Së paku kështu dukej para opinionit. Albin Kurti papritmas u vendos në anën e bllokut opozitar shqiptar, duke u dhënë një përkrahje të madhe, falë autoritetit që gëzon tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.
Sado që BDI u mundua ta relativizojë këtë vizitë si “lokale”, apo si “keqpërdorim politik”, megjithatë në atë mënyrë vetëm se i bëhej edhe më shumë reklamë edhe vizitës së Albin Kurtit, por edhe frontit opozitar shqiptar. Dikur ishte e paimagjinueshme që të bëhet ndonjë shënim në nder të Adem Demaçit pa prezencën e Ali Ahmetit, kur papritmas në zemër të Shkupit u promovua një rrugë me emrin e Demaçit, e në të Ahmeti as që ishte i ftuar.
Kjo imponon nevojën që BDI të mos mundohet me PR ta relativizojë vizitën e Kurtit, por t’i parashtrojë pyetje vetvetes se ku gaboi që kryeministri kosovar erdhi në vendin tonë dhe nuk takoi as Ahmetin, as ndonjë zyrtar të qeverisë nga radhët e BDI-së, por vetëm udhëheqësit opozitarë? Gjithsesi se dyshimet e para janë se revoltë tek qeveria kosovare ka shkaktuar paaftësia e disa drejtorëve të BDI-së, që me vite nuk mund t’i ndërtojnë as dy kilometra të autostradës Shkup-Bllacë? Dhe jo vetëm që nuk mund t’i ndërtojnë këto dy kilometra, por një tunel prej më pak se 50 metrave nuk arritën ta rregullojnë me javë, duke shkaktuar pengesa në lëvizjen e qytetarëve nga Shkupi në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas. Revolta e Kosovës në këtë rast është shumë e kuptueshme, duke pasur parasysh se pengesa të tilla nuk ndodhin me asnjë shtet tjetër fqinj. shkruan Zhurnal.
BDI dhe kryetari i saj Ali Ahmeti duhet të shkarkojnë sa më shpejtë funksionarët që sollën deri te ftohja e raporteve të tyre me Prishtinën. Ahmeti është kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe nuk i ka hije të takojë ministra të qeverisë kosovare, siç ishte takimi me ministrin Liburn Aliu, deri sa kryeministri Kosovar takon liderët e partive tjera shqiptare./Zhurnal