Editorial / A do ta marrin shqiptarët hisen e tyre në diplomaci!

Shkup, 18 prill – Maqedonia e Veriut së fundmi mori një goditje të re diplomatike nga Bashkimi Evropian, e në veçanti nga Bullgaria, ku qartë u tha se nuk mund të garantojnë nëse në të ardhmen nuk do të ketë kërkesa të tjera në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së.
Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev deklaroi se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk është kushti i vetëm që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Ai vlerësoi se përveç ndryshimeve kushtetuese, ka edhe konsensus evropian për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë në Bullgari dhe protokolleve që dalin prej saj, si dhe planit të veprimit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme rikonfirmoi qëndrimin e saj të qartë se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të jetë i parashikueshëm dhe i bazuar në kritere objektive, të matshme, të përcaktuara në Kriteret e Kopenhagës. Negociatat duhet të zhvillohen në bazë të meritës.
Ministri Timço Mucunski vazhdimisht ka theksuar se shteti gjatë tre dekadave të fundit ka bërë kompromise të rëndësishme dhe të vështira, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, ndryshimin e emrit të shtetit dhe reforma të tjera thelbësore, me qëllim të afrimit me Bashkimin Evropian. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, procesi i anëtarësimit mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, gjë që minon besueshmërinë e Bashkimit dhe inkurajon narrativat destruktive në rajon.
Edhe pse VLEN kishte deklaruar se prioritet brenda gjashtë muajve të parë do të jetë zhbllokimi i rrugës së anëtarësimit në BE, kjo temë ka mbetur e lënë anash, dhe Maqedonia e Veriut ende vazhdon të ngec në vend.
Shqiptarët pa hisen e tyre të mjaftueshme në diplomaci
Qeverisja e VMRO DPMNE – VLEN duket se ka lënë në hije diplomacinë, e në veçanti Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nëse në marrëveshjen për formimin e qeverisë nuk u nda asnjë pozitë brenda kësaj ministrie për shqiptarët, VLEN ende nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur të marrin hisen e tyre që u takon në emërimin e ambasadorëve.
Ajo që dihet nga publiku është fakti se qeveria ka vendosur të dërgojë katër ambasadorë të rinj, edhe atë Igor Nikolov në Paris, zyrtar i VMRO-DPMNE-së dhe këshilltar aktual në Komunën e Butelit, Andrijana Cvetkoviq në Japoni, Dragan Gjurçevski në Kroaci, ndërsa Dimitar Blazhevski në Ukrainë.
Nga ana tjetër Qeveria, përveç emërimeve, vendosi edhe të inicojë procedurë për tërheqjen e një duzine ambasadorëve: Svetlana Geleva nga Këshilli i Evropës, Jakup Rexhepi nga Bosnja dhe Hercegovina, Xhenk Sejfula nga Mbretëria e Suedisë, Metodija Belevski nga Mbretëria e Belgjikës, Agneza Rusi Popovska nga Bullgaria, Emil Krstevskii nga Republika Çeke, Pajo Aviroviq nga pozita e Shefit të Misionit të Përhershëm pranë OKB në Vjenë, Zeqir Ramcilovic nga Mali i Zi dhe Katerina Stavrevska nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda e Veriut.
Të gjithë janë kthyer me interpretimin autentik parlamentar të Ligjit për Punë të Jashtme që ata është dashur t’i referohen Komisionit për Politikë të Jashtme para se të shkojnë jashtë vendit dhe nuk e kanë bërë këtë sepse ka qenë VMRO-DPMNE ajo që e ka bllokuar.
“Zhurnal” më herët kishte shkruar se ambasador shqiptarë do të ketë në Danimarkë, Katar, Kazakistan dhe Gjenevë, por ende nuk ka asnjë informacion nëse këta shqiptarë kanë filluar procedurat e emërimeve të tyre.
Ku duhet të fokusohet diplomacia shqiptare
Përfaqësimi i drejtë në rrjetin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm, e me këtë duhet të kihet kujdes se cilat pozita do të jenë në interes të shqiptarëve. Në qeverinë e kaluar, shqiptarët kishin pozita të konsiderueshme në diplomaci dhe nga kjo paktikë nuk duhet të ketë tërheqje.
VLEN duhet të insistojë që të paktën t’i ruaj pozitat e deritanishme të shqiptarëve në diplomaci, por fatkeqësisht, pozita e ambasadorit në Zagreb, ku ishte ambasador shqiptar, tanimë veç se është zëvendësuar me ambasador maqedonas.
Fokusi i VLEN duhet të jetë në interesat ku shqiptarët kanë më së shumti diasporë, por duhet të ndajnë pozitat e ambasadorëve edhe në rrafshin gjeografik.
Shqipatërt duhet të kenë ambasadorë në shtetet e rajonit, në shtete e Evropës qendrore dhe perëndimore, në Amerikë, në vendet e Lindjes së Mesme, por edhe në Azi dhe vendet më të largëta.
Gjithashtu duhet të kenë përfaqësimin e duhur edhe në Misionet e përhershme pranë organizatave ndërkomb ëtare si dhe në rrjetin konsullor të vendit.
Kthimi i Vesel Memedit nga Roma dhe Driton Kuçit nga Oslo, gjithahstu duhet t’iu takojnë shqiptarëve, ndërsa në Amerikë, aktualisht janë kthyer dy konsuj të përgjithshëm shqiptar.
Profesionalizimi karshi amaterizimit
Mbi të gjitha, më e rëndësishmja në diplomaci është zgjedhja e kuadrove të cilët do t’i përfaqësojnë shqiptarët për ambasadorë. Ata duhet të jenë profesionistë të dëshmuar në sferën e tyre. VLEN nuk duhet të lejojë që të ketë përfaqësues që do t’i turpërojnë në të ardhmen, por personalitete me të cilët do të krenohen dhe të cilët do të dinë me përpikmëri t’i kryejnë detyrat e tyre.
Historia na mëson se çdoherë kur janë dërguar persona partiak dhe amatorë në profesionet e tyre, skandalet diplomatike kanë qenë të pranishme çdoherë. Një ambasador ose konsull është pasqyra e parë e shtetit jashtë, dhe nëse qasja e parë është amatoreske, rezultatet më pastaj do të jenë skandaloze.
Pavarësisht ambicieve politike e partiake, VLEN nuk duhet të lejojë që qoftë përballë partnerëve të tyre të koalicionit VMRO DPMNE, por qoftë edhe para faktorit shqiptarë të dalë me kuadro të dobët të cilët do t’i turpërojnë ata.