Edhe refugjatët afganë do të përfshihen në regjistrimin e popullsisë !?

Shkup, 18 gusht – Maqedonia e Veriut vendosi që të ndajë një pjesë të përgjegjësisë, njerëzimit dhe humanizmit për pranimin si tranzitë, qindra qytetarë nga Afganistani. Ata do të vendosen me shumë mundësi nëpër hotele por qëndrimi i tyre nuk do të zgjatë më tepër se një muaj. Ata do të vazhdojnë rrugën e tyre nëpër vende të cilat më tej do të caktohen, shkruan Zhurnal.
Qeveria vendosi që t’i pranojë ato qytetarë të cilët do të jenë të regjistruar me të dhënat e tyre. Shteti do t’u ofrojë strehim, ushqim, transport nga aeroporti nëpër hotele. Madje kryeministri Zaev sot njoftoi se janë bërë të gjitha marrëveshjet dhe aranzhimet me hotelet. Ata do të vaksinohen, do u bëhet pcr test falas si dhe kontrollet shëndetësore do t’i kenë falas. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga institucionet dhe organizatat adekuate dhe nga SHBA-të, por Maqedonia e Veriut mori përsipër një pjesë të harxhimeve si shenjë dinjiteti dhe kapaciteti të shtetit tonë.
Tani për tani janë konfirmuar 450 persona të cilët do të vijnë nga Afganistani, por nuk do të thotë se ky numër do të jetë përfundimtar. Ka gjasa që ky numër të shtohet edhe për 50-100 të tjerë.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut ndodhet në prag të regjistrimit. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë nga data 5 shtator dhe do të zgjatë deri më 30 shtator. Nëse eventualisht dhe me shumë mundësi, këta refugjatë afganë në atë periudhë ndodhen në shtetin tonë, ata do të regjistrohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.
Neni 6 i regjistrimit të popullsisë thotë se në regjistrim do të përfshihen edhe persona shtetas të huaj të cilët për momentin qëndrojnë në Maqedoni me leje qëndrimi si dhe persona pa nënshtetësi të cilët gjatë regjistrimit takohen në RMV.
Zv.drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Ilmi Selami, për Zhurnal sqaroi situatën momentale lidhur me të ikurit nga Afganistani.
Për atë nëse këta refugjatë do të përfshihen në regjistrim, varet edhe nga statusi që do ta gëzojnë gjatë qëndrimit në vend.
Selami pret që së pari shteti të zgjidhë dhe vendosë për statusin e tyre, nëse do të marin statusin e refugjatëve, me leje qëndrimi apo azilantë, por kjo e fundit sipas tij nuk ka gjasa të ndodhë.
Siç sqaron Selami, nëse këta persona nga Afganistani marin statusin e refugjatëve, atëherë patjetër se do të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë, sado që të ndodhen në atë moment.
“Së pari duhet që shteti të pastrojë statusin e tyre. A do të kenë status me leje qëndrimi, a do të kenë status me të drejtën e azilit apo status të të ikurve (refugjat). Me sa e di unë këta persona shteti planifikon t’i mbajë vetëm 2-3 javë diku nëpër hotele derisa t’ua sigurojë transferin deri te vendet e caktuara ku e kanë destinacionin e fundit. Varësisht prej asaj që çfarë statusi do të sigurojë shteti për ta, ashtu edhe ne do të veprojmë. Nëse pranohen me status të të ikurve ose refugjatë, ne do t’i regjistrojmë si të tillë. Si azilant nuk besoj se mund të kenë status sepse kjo procedurë zgjatë së paku 6 muaj. Nëse ata sigurojnë leje qëndrimi në formë të refugjatit, do të përfshihen në regjistrimin e popullsisë. Sado refugjatë të takohen në teren, aq do të regjistrohen”, ka deklaruar për Zhurnal, Ilmi Selami.

Pavarësisht se në cilat hotele do të ndodhen ato refugjatë, regjistruesit do të trokasin edhe atje për t’i regjistruar. Selami sqaron se shteti do t’i informojë se në cilat hotele do të akomodohen, dhe regjistruesit do ta kenë më lehtë për t’i përfshirë në regjistrim.
“Regjistruesit do të shkojnë edhe nëpër hotele për të regjistruar. Do të shkojnë gjithashtu edhe nëpër qendra të pranimit tek personat pa shtëpi, nëpër qendrat sociale e kështu me radhë. Ne do të kemi informata se në cilat hotele do të jenë të vendosur civilët nga Afganistani dhe do të drejtohemi atje”, ka sqaruar Selami.
Përndryshe, regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të mbahet në muajin prill por i njejti u shtye përshkak rrezikut nga infektimi nga covid, pasi në atë periudhë numri i të infektuarve dhe të vdekurve u rrit në masa të larta. Edhe në periudhën momentale gjendja me covid nuk është aspak e lakmueshme por ende nuk ka paralajmërime nëse mund të rrezikohet përsëri mbajtaj e regjistrimit.
Kryeministri Zaev sot pohoi se regjistrimi nuk mendohet të shtyhet sepse është dakorduar bashkë me opozitën.//Zhurnal.mk