E rëndë në Bahamas, 8-vjeçari sulmohet nga tre peshkaqenë, babai rrëfen tmerrin

Një djalosh britanik u sulmua nga tre peshkaqenë ndërsa ishte me pushime në Karaibe dhe u la me plagë të rënda nga kafshimet në të dyja këmbët.

Finley Downer, tetë vjeç, ishte në Bahamas me familjen e tij javën e kaluar në një ekskursion në portin e mbrojtur Compass Cay kur ndodhi sulmi i tmerrshëm.

I vogli i tmerruar u tërhoq zvarrë nga motra e tij 12-vjeçare pasi të paktën tre peshkaqenë  sulmuan atë papritur duke e kafshuar në të dyja këmbët.

Babai i djalit, Michael Downer i tha The Sun se djali dhe vajza e tij ishin afruar pranë peshkaqenëve të cilët ishin mbledhur nga ushqimi që po u hidhej.

“Papritur, dëgjova një britmë të tmerruar dhe pashë dhjetëra u mblodhën rreth Finley. Kishte aq shumë gjak. Copat e këmbës i ishin varur. Djali im mund të kishte vdekur,” tha ai.

I vogli u nxor për fat nga uji nga motra e tij Lily dhe u dërgua në spitalin më të afërt.

Ai iu nënshtrua një operacioni prej tre orësh ndërsa raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.